Punësimet e ekspertëve me tenderë

Auditori i Përgjithshëm pothuajse çdo vit ka gjetur shkelje në punësimet me kontrata mbi vepër që janë bërë nëpër komuna.

Mesatarisht janë punësuar mbi 2 mijë persona me kontrata të tilla. Ndërsa numri i të punësuarve me kontratë mbi vepër ka arritur në mbi 4 mijë persona më 2020, vit kur janë mbajtur zgjedhjet nacionale.

Punësimet e tilla në të kaluarën janë rregulluar me Ligjin për Shërbyesit Civilë. Por, institucionet nuk respektonin edhe ato pak procedura që ishin paraparë në ligj për angazhimin e personave me Marrëveshje për Shërbime të Veçanta.

Që nga viti 2020, me hyrjen në fuqi të LIgjit për Zyrtarët Publikë, angazhimi me kontrata të përkohshme duhet të bëhej përmes prokurimit.

Muhamet Balaj – Foto: KALLXO.com

“Në korrikun e vitit 2020 më hyrjen ne fuqi të Ligjit për Zyrtarë Publikë, më saktësisht të nenit 84 të këtij Ligji, i obligon të gjitha organizatat buxhetore që në momentin kur kanë nevojë për kontrata të tilla të shfrytëzojnë Ligjin e Prokurimit Publik. Ideja e Ligjit pse e ka rregulluar përmes kësaj forme ka qenë që të rritet sadopak konkurrueshmëria, transparenca, gjatë angazhimit të këtyre kandidatëve për shërbime të caktuara”, ka thënë Muhamet Balaj nga Zyra Kombëtare e Auditimit.

Ligji për Zyrtarët Publikë thotë se angazhimi me kontrata të përkohshme duhet të bëhet përmes prokurimit.

Osman Vishaj, kryetar i bordit të Komisionit Rregullativ të Prokurimit, thotë se me hyrjen në fuqi të Ligjit për Zyrtarë Publikë ata janë obliguar të hartojnë një rregullore të veçantë për kontratat për shërbime.

Osman Vishaj – Foto: KALLXO.com

“KRPP në bazë të detyrave dhe përgjegjësisë me 22 shtator 2020 ka aprovuar rregullat për shërbime të veçanta. Këtu na ka dalë një problem i vogël me ATK për numrin fiskal dhe me datën 18.11 sepse sistemi nuk e lejon mu regjistru me apliku me letërnjoftim por vetëm me numër fiskal, këtu kemi bërë ndryshime, kemi modifikuar një nen të kësaj rregulloreje dhe më 18.11.2020 kemi bërë plotësimin e kësaj rregullore, pra tani të gjitha autoritetet kontraktuese janë të obliguara ta zbatojnë këtë rregullore për shërbime të veçanta”, thotë ai.

Por, Asociacioni i Komunave të Kosovës ankohet se komunat kanë qenë të painformuara për hapat që duhet ndjekur për punësimet e ekspertëve me kontrata mbi vepër.

Sazan Ibrahimi – Foto: KALLXO.com

“Me miratimin e këtij ligji (Ligjit për Zyrtarë Publikë), i cili nuk është zbatuar pothuajse kurrë, tek komunat kanë pasur shumë probleme. Në këtë ligj është përshkruar procedura e rekrutimit ku komunat kanë qenë të obliguara që përmes e-punësimit të fillojnë procedurat e rekrutimit, por në asnjë moment udhëzime të tjera s’ka pasur, udhëzime që kanë qenë të parapara me Ligjin për Zyrtarë Publikë. Aktet nënligjore që i kanë shpjeguar në detaje procedurën e rekurtimit nuk janë hartuar në asnjë moment, por edhe gjithashtu një sistem elektronik për rekrutim të stafit civil nuk është krijuar apo s’ka pasur ndonjë veprim në këtë drejtim”, thotë Sazan Ibrahimi, kryetar i Asociacionit të Komunave të Kosovës.

Kryetari i Komisionit Rregullativ të Prokurimit, Osman Vishaj thotë se janë obliguar disa herë të lëshojnë udhëzime e sqarime se si duhet të angazhohen ekspertët përmes prokurimit.

Ai thotë se personat që dëshirojnë të marrin një kontratë për shërbime duhet të ofertojnë përmes platformës së Prokurimit Publik.

“Kontrata për shërbime nënkupton që vetë titulli shërbim i veçanë, ata persona që nuk munden me u kontraktu, me u marrë, me lidhë kontratë me shërbimin, në bazë të Ligjit për Zyrtarë Publikë, duhet të kontraktohen me Ligjin e Prokurimit, pra janë vetëm shërbime të veçanta, që nuk është Ligj i Prokurimit me kriju marrëdhënie të punës, janë shërbime konsulente të veçanta për profesione të caktuara”, shton Vishaj.

Sipas tij, të gjitha procedurat e prokurimit duhet të jenë të hapura për 10 ditë.

Në të kaluarën, komunat duke u thirrur në angazhim të ekspertëve kanë punësuar persona për pozita të rregullta.

“Çka nuk duhet me u angazhu është shofer, asistente, zyrtar financiar, i prokurimit. Pra, vetëm profesione që nuk munden me u bë me Ligjin e Zyrtarëve Publikë, pra vetëm specifike, raste specifike, nuk mundet çdo pozitë që e ke të lirë ti në administratë me bë me këtë rregullore apo me Ligjin e Prokurimit Publik, pra nuk lejohet… është maksimumi 3 vite”, shton Vishaj.

Muhamet Balaj nga Zyra Kombëtare e Auditimit ka treguar për gabimet që nuk duhet t’i bëjnë komunat në të ardhmen nëse dëshirojnë t’i shmangen vërejtjeve të Zyrës Kombëtare të Auditimit.

“Këtu theksojmë edhe ne si institucion që organizata buxhetore duhet të kenë kujdes t’i përdorin këto kontrata vetëm për ato shërbime që thotë ligji. Jo për pozita të rregullta të punës, sepse për pozita të rregullta të punës duhet të paguhen nga kategoria e pagave, duhet të shpallet konkurs publik duhet të jetë procesi edhe më transparent dhe konform ligjit”, shton ai.

Kryetari i Asociacionit të Komunave, Sazan Ibrahimi, thotë se do të kërkojnë ndryshimin e Ligjit për Zyrtarët Publikë, duke përfshirë nenin që e rregullon angazhimin e personave me kontratë për shërbime.

“Për këtë arsye si Asociacion kemi kërkuar që ky Ligj sa më shpejt të jetë e mundur të plotësohet apo të amendamentohet dhe jemi në fazën e amendamentimit, është formuar grupi punues. Në përgjithësi edhe procedurën e rekrutimit edhe procedurën e kontraktimit gjithçka mendojmë se do të lehtësohet sepse deri më tani edhe pse është quajtur një lloj reforme, kjo ka qenë një reformë e dështuar apo tentim për reformë që s’ka dhënë asnjë rezultat”, shprehet ai.

Angazhimi i ekspertëve përmes tenderëve e ka rritur transparencën dhe konkurrencën, duke u dhënë mundësi konkurrentëve që të ndjekin edhe rrugën e ankimimit në rast të dyshimeve për shkelje ligjore.