Punësim politik në Ministrinë e drejtuar nga Agim Veliu

Punësimit politike, janë duke vazhduar edhe në kohën e qeverisjes Kurti.

KALLXO.com, ka gjetur se anëtarja e forumit të gruas së LDK-së, në Rahovec, Diana Hoti është punësuar si asistente administrative në Qendrën e Regjistrimit të Automjeteve.

Me datë 2 mars 2020, Ministria e Punëve të Brendshme ka njoftuar se kandidate e suksesshme për këtë pozitë është Diana Hoti.

Hoti është anëtare e Forumit të Gruas së LDK-së, në komunën e Rahovecit.

KALLXO.com, ka kontaktuar me Diana Hotin për ta pyetur nëse ka pasur ndikime politike në punësimin e saj.

Hoti ka thënë për KALLXO.com, se për këtë duhet pyetur komisionin dhe jo atë.

“Mundeni me e pyet komisionin qysh kam qenë unë, ky është konkurs që është hapë në vitin 2019 dhe absolut nuk ka pas askush pjesë këtu, lexoni te shpallja edhe mundeni me e pyet komisionin dhe jo mua”, tha Hoti.

Anëtarja e Forumit të Gruas së LDK-së, në Rahovec, Diana Hoti është përzgjedhur kandidate e suksesshme me 74.80%, të pikëve totale.

Ajo është përzgjedhur si asistente administrative në qendrën e regjistrimit të automjeteve në Obiliq, pikërisht në Ministrinë e udhëhequr nga Agim Veliu i LDK-së.

Në vendimin e MBP për njoftimin e kandidatit më të suksesshëm për pozitën në të cilën është pranuar kandidatja Diana Hoti, që mbanë datën 02.03.2020 bëhet e ditur se ky konkurs ishte shpallur me datën 14.09.2019.

Më pas i njëjti konkurs ishte vazhduar deri më datën 05.10.2019-të.

Mirëpo kjo pozitë ishte pezulluar sipas kërkesës së Ministrisë së Administratës Publike me datë 07.10.2019, dhe një ditë më vonë me 08.10.2019 ishin njoftuar edhe kandidatët për pezullimin e konkursit.

Më pastaj me datë 10.01.2020 Ministria e Administratës Publike kishte njoftuar institucionet se mund të vazhdojnë me konkurset e pezulluara, derisa Gjykata Kushtetuese të vendoste lidhur me Ligjin për Zyrtarët Publik.

Bazuar në këtë, MBP me datën 02.03.2020 e kishte njoftuar kandidaten Diana Hoti, se është kandidatja e pranuar në pozitën e Asistentes Administrative në Qendrën e Regjistrimit të Automjeteve në Obiliq.

Pas këtij raportimi, Ministria e Punëve të Brendshme ka reaguar duke thënë se Ministri Agim Veliu  nuk ka gisht në këtë punësim.

“Dëshirojmë të bëjmë me dije se ky konkurs dhe kjo zgjedhje është bërë para së të emërohet ministër, z. Agim Veliu dhe kjo nuk është korrekte që të lidhet ky punësim me ministrin e ri të MPBAP-së”, thuhet në reagimin e ministrisë.

Vendimi i MPB-së i datës 02.03.2020, për njoftimin e pranimit të kandidates Diana Hoti

 

Punësime të shumta politike, ka pasur edhe gjatë qeverisjeve të kaluara.

Vetëm gjatë vitit 2019, KALLXO.com, ka gjetur se nëntë nga njëzet inspektorët e rijnë të ATK-së, kanë pasur lidhje me parti politike.

Familjarja e këshilltares së Haradinajt punësohet inspektore në ATK