Ilir Peci, kryetar i Zveçanit - 21.04.2024

Puna gati 1-vjeçare e kryetarit Peci në Komunën e Zveçanit

Betimi i tij u përcoll me tensione të mëdha, e shkaku i tensioneve e pati problem që të vendoset në zyrën e kryetarit të Komunës së Zveçanit, ani pse në zgjedhje qytetarët kishin vendosur që ai, Ilir Peci, të ushtronte detyrën e udhëheqësit komunal.

Kryetari tek një vit më vonë arriti që të ulet në karrigen e kryetarit e të shfrytëzojë zyrën brenda objektit komunal të Zveçanit.

Nga aty, ai bashkë me kabinetin e tij tashmë po e vazhdojnë punën e po tentojnë që të përmbushin kërkesat e qytetarëve, të cilat sipas Pecit nuk janë të pakta.

Më 29.05.2023 Peci kishte dhënë betimin për kryetar, e më punë kishte vazhduar nga fshati Lipë, aty ku ndodhet zyra komunale për komunitete.

Pas 11 muajsh, kur edhe u vlerësua se situata e sigurisë është e qetë, Peci bashkë me kabinet, 12 drejtori, u vendosën në ndërtesën e Komunës.

Ai në një intervistë për KALLXO.com shpjegoi se ndërrimi i lokacionit i ka bërë që të jenë më afër e më në kontakt me qytetarët.

“Përafërsisht rreth 11 muaj kemi qenë në zyrën për komunitete në fshatin Lipë, afër dy javë jemi këtu, do të thotë thuajse të gjithë drejtorët dhe zyrtarët janë vendosur në këtë objekt. Është një lehtësim shumë më i madh edhe për vetë zyrtarët, drejtorët, por edhe për mua si kryetar Komune” – shprehet Peci.

“Qe sa ditë prej që jemi duke vazhdu këtu do të thotë gjithçka është më e lehtë, më e mirë edhe e mira e të gjithave është se qytetarëve po iu lehtësohet ardhja në këtë objekt” – shton tutje ai.

Ai tregon se prej kur janë vendosur në objekt komunal u janë shtuar edhe kërkesat për takime edhe nga qytetarët e komunitetit serb, por edhe nga ata të komunitetit shqiptar, teksa shton se kërkesa më e madhe e tyre është punësimi.

“Për çdo ditë mundem me thanë së paku deri në 30 përafërsisht numri i qytetarëve, 30 qytetarë vijnë në ditë, kërkesa të tyre, halle të tyre me i qajtë, por që është kërkesa e tyre më me rëndësi edhe më me shumicë, do të thotë punësim” – tha Peci.

Peci tregon se në vazhdimësi po hapin konkurse, ku po pranohen në punë qytetarët e të gjitha komuniteteve.

Kryetari shpjegoi se nga 12 drejtoritë që ka komuna ka emëruar vetëm një drejtor serb, përderisa pjesë të stafit nga ky komunitet janë përafërsisht 31 punëtorë.

“Përafërsisht është numri gjithsej rreth 31 serbë që janë për momentin, ata një pjesë e madhe janë në kontratë katërmujore, jemi duke shpallë konkurse thuajse vazhdimisht. Ka të interesuar shumë edhe nga ana e serbëve dhe jemi duke vazhdu me punë” – shprehet Peci.

Kërkesat e qytetarëve Peci thotë se janë prioritet për të, madje sipas tij kërkesat që ka pranuar e që vlerësohet se janë më me rëndësi për qytetarët përafërsisht 80 për qind veçse janë realizuar.

“Besoj që kërkesat që janë në interes të qytetarëve deri më tani mund të them me plot përgjegjësi të plotë se përafërsisht 80 për qind i kemi mbulu edhe shpresoj që deri në fund të muajit përmbushen këto” – theksoi kryetari.

I pyetur se cilat janë disa prej kërkesave të qytetarëve që janë realizuar në këtë gati një vit punë, Peci përmend disa projekte të ndriçimit e të rregullimit të rrugëve.

Projekti që ai e veçon më shumë është ndriçimi i fshatit Banjskë që është kryer gjatë mandatit të tij.

“Do të thotë fillimisht projekt në mandatin tonë ka qenë ndriçimi në Banjskë, aty ka qenë kërkesë e qytetarëve edhe është bërë. Është projekt mirëmbajtja e rrugës që është projekt dyvjeçar në fshatin Kelmend, Boletin, Zhazhë” – shprehet i njëjti.

Tutje ai përmend si projekt edhe sigurimin për transportin e nxënësve që është projekt trevjeçar e po ashtu riparimet e rrugëve.

Sipas kryetarit, për këto projekte që veçse kanë filluar ka buxhet të mjaftueshëm, mirëpo sipas tij për disa kërkesa më të mëdha që janë për qytetarë nuk ka buxhet të mjaftueshëm.

Peci nuk është i kënaqur mjaftueshëm me kontaktin që ka me Qeverinë e Kosovës.

Ai thotë se diçka e tillë ndodhë “shumë pak”, teksa veçon zëvendësministrin e Pushtetit Lokal, Arbër Vokrri.

“Deri më tani kontakt kemi pasë, po shumë pak. Mundem me cek këtu që vetëm zëvendësministrin, zotëri Vokrrin i kemi raportet e shkëlqyera. Ai në ato mundësitë e veta është duke na ndihmu, mirëpo me të tjerët ministra shumë pak kemi kontakte” – shprehet i pari i Komunës së Zveçanit.

Peci u pyet edhe për regjistrimin e popullsisë në komunën që ai e udhëheq,

Kryetari tha se deri më 13.05.2024 një numër shumë i vogël në krahasim me numrin e banorëve është regjistruar.

“Te regjistrimi i popullsisë është pak më e ngadalshme puna, do të thotë regjistrimi i qytetarëve shqiptarë veç thuajse është në përfundim e sipër, te ata serbë janë duke u regjistru, por është një numër shumë i vogël deri më tani, është një numër jashtëzakonisht i vogël në krahasim me numrin e banorëve” – thotë kryetari.

Sa i përket faturimit të energjisë elektrike në këtë komunë, Peci tha se ka qytetarë që shprehen të interesuar për të kryer këtë obligim.

“Për këtë temë kam pasë në takim dy qytetarë edhe më pyetën procedurat, qytetarët e kanë pagu në mënyrë paushallë dhe pyetshin se qysh shkon tash e tutje procedura, mirëpo për momentin nuk mujta me ua dhanë ndonjë sqarim përfundimtar” – shprehet Peci.

Sipas kryetarit, situata e sigurisë në Zveçan është e qetë, teksa shtoi se takime ka thuajse për çdo ditë me Policinë e Kosovës, teksa këto takime me pjesëtarët e KFOR-it i ka pak më rrallë.

Peci vlerëson se nëse puna e tij vazhdon siç është tani, do të ketë kërkesë nga qytetarët që të kandidojë për kryetar komune prapë.

Ai madje thotë se nëse kandidon prapë do të ketë vota edhe nga qytetarë të komunitetit serb në Zveçan.

“Besoj që nëse punojmë kështu si kemi punu deri më sot, kur po bëhet gati 1 vit, sigurisht që edhe qytetarët kanë me kërku më vazhdu të njëjtin, por të shohim” – shprehet i pari i Komunës.

Një situatë e tensionuar mbizotëroi në maj e qershor të vitit të kaluar në komunat e veriut të Kosovës.

Në zgjedhjet që u mbajtën në prill të 2023-tës fitues dolën kryetarë shqiptarë, pasi komuniteti serb bojkotoi zgjedhjet.

E betimi i kryetarëve, që u bë në maj të vitit që lamë pas, u kundërshtua me protesta të dhunshme.

Pjesëtarë të Policisë së Kosovës, të KFOR-it e edhe ekipe të gazetarëve mbetën të lënduar nga dhuna që ushtruan protestuesit.

Zveçani qetësi nuk gjeti as edhe në shtator të 2023-ës.

Më 24.09.2023 në fshatin Banjskë të Zveçanit ndodhi një sulm terrorist kundër Policisë së Kosovës, ku mbeti i vrarë polici Afrim Bunjaku.

Ish-nënkryetari i Listës Serbe, Millan Radoiçiq, ka marrë përgjegjësinë për këtë sulm, në të cilin nga kundërpërgjigjja e Policisë ishin vrarë tre anëtarë të grupit të Radoiçiqit.