Një grua në moshë mbjell qepë në 50 vjetorin e Ditës së Tokës në qytetin e Obiliqit. Foto: EPA-EFE / VALDRIN XHEMAJ

‘Puna e grave’: Marrëveshja mbi Covid-19 godet barazinë gjinore në Kosovë

Në Kosovën kryesisht patriarkale, pandemia e koronavirusit e ka vënë një barrë joproporcionale mbi gratë, duke kërcënuar me minim të një progresi të mangët të arritur për barazinë gjinore.

Të balancuarit e mësimit universitar si dhe të qenit nënë e dy fëmijëve të vegjël, asnjëherë nuk do të ishte diçka e lehtë, mirëpo Besa [emri i sajuar] thotë se me ardhjen e COVID-19 dhe mbylljen e çerdheve, gjithçka u bë gjithnjë e më vështirë.

Ndërkohë që burri i saj, automekanik me profesion, e ndihmonte me punët e shtëpisë gjatë masave të bllokadës në Kosovë, ai shumë shpejt iu kthye punës së tij, duke e lënë 25-vjeçaren Besa të riorganizohet me kujdesin për fëmijët dhe arsimin e saj online. Në më shumë se një rast, asaj iu desh të hiqte dorë nga mësimi.

“Sfidë për mua gjatë kësaj periudhe ka qenë koha të cilën unë duhej të ndaja mes fëmijëve të mi, shtëpisë dhe studimeve të mia,” tha Besa për BIRN, e cila kërkoi të mos identifikohej me emrin e saj të vërtetë.

“Vajzat e mia janë në një moshë kur kanë nevojë t’u jemi afër gjithë kohës. Unë duhej të merresha me to, me punët e shtëpisë dhe njëkohësisht duhej të ndiqja mësimin online, gjë që ishte jashtëzakonisht e vështirë”.

Kemi të bëjmë me një problem që është përkeqësuar për gratë në të gjithë botën me fillimin e pandemisë diç më shumë se një vit më parë dhe kufizimet që shtetet kanë vendosur për ta ndaluar përhapjen e mëtejme të saj.

Sipas një raporti të Kombeve të Bashkuara mbi ndikimin socio-ekonomik të pandemisë, ndërkohë që përgjegjësitë në shtëpi janë rritur si për burrat ashtu edhe për gratë, numri i orëve të kaluara duke pastruar dhe gatuar ushqimin është rritur shumë më tepër për gratë.

Kryesisht Kosova patriarkale nuk përbën përjashtim, duke u kujdesur për fëmijët dhe duke u marrë me pastrimin që tradicionalisht, konsiderohen si  “punë e grave”, thotë sociologia Linda Gucia.

“Kujdesi për fëmijët dhe për të moshuarit është gjithmonë një barrë për gratë, dhe shihet si një detyrim për ta”, tha Gucia për BIRN.

“Puna pa pagesë që e bëjnë gratë gjatë pandemisë është shumëfishuar”, tha ajo, dhe në rast se një anëtar i familjes infektohet me COVID-19 “gruaja sakrifikohet të kujdeset për ta sepse institucionet shëndetësore në Kosovë po dështojnë në këtë drejtim”.

Nënat luajnë rolin e mësuesës po ashtu

Kosovarët marrin pjesë në një marshim për të shënuar Ditën Ndërkombëtare të Gruas në Prishtinë, Kosovë, 08 Mars 2021. Dita Ndërkombëtare e Gruas shënohet me 8 mars për të kërkuar të drejta të barabarta gjinore. Foto: EPA-EFE/VALDRIN XHEMAJ

Shumica e 18 përqind të grave kosovare të cilat kanë një vend pune ishin të detyruara të punojnë nga shtëpia gjatë masave të bllokadës për shkak të pandemisë në Kosovë.

Megjithatë, shumë prej tyre gjithashtu duhej të kujdeseshin për fëmijët, disa prej të cilave duhej të mirreshin me mësim online dhe, njëkohësisht, të kujdeseshin edhe për shtëpinë. Sipas Agjencisë për Barazi Gjinore pranë zyrës së kryeministrit të Kosovës, papunësia tek gratë është rritur gjatë pandemisë e po ashtu janë rritur edhe raportet mbi dhunën në familje. 

“Kriza e kësaj pandemie tashmë u ka shkaktuar dëme të mëdha ekonomike grave”, thotë Qendra për Informim, Kritikë dhe Aksion – QIKA, misioni i së cilës është mbrojtja dhe promovimi i të drejtave të barabarta për të gjithë qytetarët e Kosovës.

“Shumë prej tyre i kanë humbur vendet e punës dhe shumë të tjera të cilat tani janë në kërkim të një vendi pune janë një hap prapa në këtë aspekt”.

QIKA i tha BIRN se përgjegjësia për t’i udhëzuar fëmijët kosovarë përmes mësimit online kishte rënë mbi shumicën e grave, pavarësisht nga detyrimet të tjera me të cilat ato duhet të angazhohen.

Pandemia, tha kjo qendër, duhet të shërbejë si “motivim për t’i kundërshtuar politikat diskriminuese të institucioneve publike. Ne duhet të jemi të zëshëm ndaj shtypjes që gratë e përjetojnë në familje dhe në hapësirat publike “.

Duke i dale në mbrojtje përgjigjes së saj ndaj gjendjes së grave kosovare gjatë pandemisë, Agjencia për Barazi Gjinore, tha se kishte alokuar një milion euro në institucionet private të arsimit parashkollor si ndihmë që të njëjtat t’i mbajnë anëtarët e stafit, të cilat janë kryesisht gra, dhe dy milionë të tjerë për t’i dhënë mbështetje bizneseve të udhëhequra nga gratë.

“Kemi organizuar takime të shumta konsultative për adresimin e çështjeve që kanë të bëjnë me barazinë gjinore dhe dhunën ndaj grave”,  tha për BIRN kjo qendër.

Një grua në moshë mbjell qepë në 50 vjetorin e Ditës së Tokës në qytetin e Obiliqit. Foto: EPA-EFE / VALDRIN XHEMAJ

Më fatlum se të tjerët

Disa e konsiderojnë veten më me fat se të tjerët.

Afërdita Rrustemi, e cila menaxhon një çerdhe fëmijësh në qytetin e Lipjanit deklaron se burri dhe fëmijët tashmë janë në gjendje të përkujdesen për veten e tyre dhe se punët e shtëpisë të kryera nga burri i saj janë një bonus për të.

“Fatmirësisht, kam një familje shumë bashkëpunuese e cila e kupton kur kam nevojë për ndihmën e tyre, si fëmijët ashtu edhe bashkëshorti”. tha Rrustemi për BIRN.

Burri i saj, Lulzimi, madje thotë se ishte pandemia ajo e cila e ndihmoi atë të lidhej edhe më shumë me familjen e tij, dhe kujton faktin kur ata kishin filluar me një kopsht të vogël perimesh ndërkohë që ishin në karantinë.

“Bashkë me gruan kemi punuar nga shtëpia. Kjo kishte përparësitë e veta, sepse të dy kishim mundësinë ta ndihmonim njëri-tjetrin kur nevojitej një gjë e tillë”, tha ai.