'Prishtina Dog Shelter' , Foto: KALLXO.com

Puna e cila nuk njeh etni

Për të ofruar zgjidhje për qentë endacakë, rreth gjashtë kilometra larg Prishtinës, dy aktivistë, njëri serb dhe tjetri shqiptar, kanë ndërtuar një qendër të përkujdesit për qentë endacakë.

Kujdesi ndaj qenve ka krijuar vende pune për shqiptarë, serbë e romë. Mentor Gashi, Bajram Jashari dhe Sllavisha Stojanoviq, nisin ditën së bashku në “Prishtina Dog Shelter”, e cila gjendet në një tokë private në Graçanicë. 

Në organizatën e tyre ata kujdesën për qentë të cilët i marrin nga rruga, t’i ushqejnë, shërojnë dhe pastaj t’i dërgojnë tek familje të cilat duan t’i strehojnë. 

Mentor Gashi, themelues i ‘Prishtina Dog Shelter’ tregon se bashkëpunimi ka filluar me kolegun e tij serb dhe pastaj është bashkuar një djalë i ri i komunitetit rom.

Mentor Gashi, ‘Prishtina Dog Shelter’, Foto: KALLXO.com

“Kemi fillu unë dhe Shllavisha vetë dhe ndërkohë është bashkangjitur Bajrami, ka jetu në Itali është kthy prej Italisë. Është djalë shumë i mirë, është djalë i ri, e më pas Adriana, kështu jemi ekip. Kemi edhe vullnetarë nga shtetet e huaja”- ka thënë Gashi.

Ai shpjegon fillimin e strehimores dhe si erdhi deri te bashkëpunimi me Stojanoviqin.

“Është pak storie e gjatë, por mundem me e tregu. Në vitin 2012 kur e kemi fillu e kemi hapë një strehimore afër shtëpisë së tij, përballë, këtu në Graçanicë, disa nga qentë tonë kanë dalë nga rrethojat dhe kanë hy në oborrin e tij dhe kanë dëmtu, ia kanë mbytë lepujt edhe ky ka ardhë me lepujt dhe është anku tek unë. M’u më është dukur simpatik, qesharak, lypke dëmshpërblim apo diçka, i kam thënë a po do me punu? Edhe kështu ka fillu”- tregon Gashi.

Ndërtimi i nismave të përbashkëta në mes komuniteteve për të zgjidhur problemet e përbashkëta është diçka jo e shpeshtë në Kosovë. Komunat shpenzojnë miliona euro për t’i trajtuar qentë endacakë e për të realizuar projekte ndërkomunale në mes vete.

Sllavisha Stojanoviq, i cili vjen nga komuniteti serb në Kosovë tregon se puna të cilën e bën së bashku me kolegët e tij është mjaft atraktive për të, ndërsa përkatësinë e tyre etnike nuk e ka konsideruar asnjëherë problem për të bërë diçka bashkë. 

Sllavisha Stojanoviq, ‘Prishtina Dog Shelter’, Foto: KALLXO.com

“Jo, jo Mentori vjen në shtëpinë time, dhe unë shkoj te ai dhe ne jemi shokë për dhjetë vite tani, dhe unë e njoh familjen e tij edhe ai e njeh timen dhe vazhdimisht jemi në Graçanicë, në kafiteri, dhe unë çdo ditë jam në Prishtinë dhe madje të gjithë më njohin përmes televizionit që jam serb dhe asnjëherë nuk kemi pasur asnjë problem” – thotë Stojanoviq.

Stojanoviq thotë se komunikimi mes tyre zhvillohet në të dy gjuhët “unë kam qejf të mësoj shqip por Mentori flet serbisht 99% dhe unë po mësoj nga pak shqip sepse vazhdimisht po flasim serbisht”.

21-vjeçari nga komuniteti rom, Bajram Jashari i është bashkuar punës në strehimoren e qenve rreth katër vite më parë. Krahas përkujdesjes ndaj qenve, kjo punë i ka ndihmuar që të mësojë gjuhën shqipe dhe serbe në të njëjtën kohë. 

Bajram Jashari, ‘Prishtina Dog Shelter’, Foto: KALLXO.com

“Unë në fillim e kam pas shumë vështirë, sepse para se ma ardhë në Kosovë nuk e kam ditur gjuhën serbe, e kam pas shumë vështirë edhe tash më Sllavishën që katër vite që jam këtu jam duke mësu dhe duke folë më mirë serbisht edhe me Mentorin kam mësu gjuhën shqipe, shumë jemi duke vazhdu mirë për momentin, asnjë problem nuk ka”- ka thënë Jashari.

Jashari thotë se për të asnjëherë nuk ka qenë problem etnia e dy kolegëve të tij për të punuar së bashku.

“Njoftohemi me Mentorin dhe Sllavishën, e pastrojmë vendin bashkë dhe pastaj e vendosim ujin për qentë me e pas gati të gjithë dhe në fund qesim edhe ushqim, pastaj flasim bashkë me Sllavishën se çka është plani ditor edhe bie që na thërrasin disa raste të Graçanicës, Prishtinës për me marrë qen, ne shkojmë menjëherë dhe e marrim atë qen, pastaj shkojmë tek veterinari”- tregon ai.

Ivan Nikoliq, që është pjesë e organizatës “Communications Social Development” (CSD) me seli në Graçaicë. Ai thotë se mundësitë për bashkëpunim në mes komuniteteve janë të shumta dhe nismat e bashkëpunimit kanë prodhuar zgjidhje për komunitetet. 

Nikoliq thotë se në organizatën të cilin ai drejton kanë bërë projekte të ndryshme në të cilën janë përfshirë komunitetet të cilat jetojnë në Kosovë. 

Ivan Nikoliq, OJQ CSD

“Ka dy sfida të mëdha, njëra është padyshim diçka që nuk mund të harrohet, është e kaluara, është lufta që kanë vuajtur shumë njerëz gjatë luftës nga të dyja palët, në fakt nga të gjitha anët, ne nuk mund të harrojmë komunitetet e tjera krahas serbëve dhe shqiptarëve, dhe kjo është ndoshta pengesa kryesore. Dhe e dyta është situata politike jostabile dhe çdo shkëndijë e vogël e dhunës ndëretnike po transmetohet në mbarë Kosovën dhe disi duhet të lavdërohen këto marrëdhënie që ndërkohë po përmirësohen”- thotë Nikoliq.

Ndërsa, sa i përket bashkëpunimit në mes komuniteteve ai tregon se “grupet e ndryshme etnike janë kryesisht dhe më së shumti bashkëpunuese në biznes dhe jam shumë i sigurt se biznesi nuk njeh asnjë lloj pengese dhe nuk u intereson kush nga cili komunitet është, biznesi ka synimin e vet. Shoqëria civile është ndoshta në vendin e dytë”.

Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës në regjistrimin e fundit të popullsisë, në vitin 2011 në Kosovë janë regjistruar 1 milion e 600 mijë shqiptarë, 25 mijë serbë, 8 mijë romë, 15 mijë ashkalinj, 11 mijë egjiptian dhe të komuniteteve tjera.