Parakalimi i Policisë së Kosovës në 25-vjetorin e çlirimit të Kosovës – 12.06.2024 Foto: Denis Sllovinja/ KALLXO.com

Pulsi UNDP-së: Qytetarët në Kosovë e shohin Policinë si më pak të korruptuarën nga institucionet 

Policia e Kosovës po shihet si më pak e korruptuara në mesin e disa institucioneve nga qytetarët e vendit.

Kështu të paktën është thënë në të dhënat që janë publikuar në edicionin e 26-të të Përmbledhjes të Pulsit Publik të Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) në Kosovë.

Anektimi i më shumë se 1 mijë qytetarëve në Kosovë ka nxjerr në pah se Gjykatat e vendit përceptohen për mbizotërimin e korrupsionit në shkallën të gjerë.

Përceptimet për mbizotërimin e korruspsioni në shkallë të gjerë në institucionet publike dhe ndërkombëtare në Kosovë. Screenshot: UNDP

Nga ky anketim që ndodhë dy herë në vit u nxorën në pah perceptimet e qytetarëve për çështjet socio-ekonomike, politike dhe të sigurisë.

Sipas UNDP-së mesatarisht, 19.9% e të anketuarve kanë perceptuar se korrupsioni në shkallë të gjerë është i pranishëm në institucionet publike dhe ndërkombëtare në Kosovë, duke shënuar një rënie prej 5.15 pikë të përqindjes krahasuar me nëntorin e vitit 2023, kur ky numër ka qenë 25%.

Pas Policisë (12.40%) që është perceptuar si institucioni më pak i korruptuar, UNDP tha se ajo pasohet nga organizatat ndërkombëtare (13.70%), arsimi (13.8%) dhe komunat (15.9%).

Ndërsa tek institucionet më të korruptuara pas gjykatave (36.5%) është përceptuar se janë Dogana (35.3%) dhe KEDS-i (22.4%).

UNDP tha se ndryshimet pozitive më të mëdha në perceptimin për korrupsionin në shkallë të gjerë janë vërejtur në Administratën Tatimore e Kosovës – 17.1% në maj të vitit 2024, krahasuar me 26.4% në nëntor të vitit 2023, Agjencia Kosovare e Privatizimit – 22.3% në maj të vitit 2024, krahasuar me 30.7% në nëntor të vitit 2024 dhe Administrata Qendrore – 17% në maj të vitit 2024, krahasuar në 24.9% në nëntor të vitit 2023.

Në publikim u theksua se rritja e vetme e perceptimit për korrupsionin në shkallë të gjerë është vërejtur tek Gjykatat – 36.5% në maj të vitit 2024 krahasuar me 28.80% në nëntor të vitit 2023.

Raportin e plotë të Programit të Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) në Kosovë mund ta gjeni duke klikuar KËTU – LINK