Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Pulmologu Shpëtim Thaçi tregon momentin më të rëndë gjatë pandemisë

Personeli shëndetësorë gjatë kësaj periudhe të pandemisë kanë qenë vija e parë e frontit për trajtimin e rasteve me coronavirus, në këtë mes është i pranishëm edhe pulmologu në Klinikën e Pulmologjisë, Shpëtim Thaçi.

Ai sonte në #KALLXOPernime ka treguar momentin e tij më të rëndë gjatë periudhës ku fluksi i pacientëve me COVID-19 ka qenë shumë i lartë.

“Ka qenë përballje me një pacient i cili ka qenë i  shtrirë në klinikë së bashku me prindin e tij i cili fatkeqësisht në moshën 42 vjeçare ndërron jetë si pasojë e një tromboembolie pulmonare, një komplikim akut, i cili njihet tek ky infeksioni, i cili jep komplikime jashtëzakonisht të larta”, rrëfen pulmologu.

“Përkundër asaj prindi i cili ishte i shtrir në një dhomë tjetër kishte shpëtuar. Prindi ka qenë 82 vjeçar. Ka qenë një nga situatat më të rënda të përjetimit gjatë kësaj periudhe. Jo nuk e kam takuar më asnjëherë prindin”, vazhdon rrëfimin.

Përveç tjerash ai rrëfen edhe momentin e parë me pacientin cili ishte shtrirë në Pulmologji për trajtim, Thaçi thotë se më 22 mars të vitit të kaluar në klinikë ishte shtrirë pacienti me COVID-19 mirëpo ai thotë se nuk ka qenë njëri ndër rastet më të rënda.

“Klinika e Pulmologjisë në muajt korrik – gusht ka qenë  një klinikë ku ke mundur të ndëgjosh vetëm zhurmën e oksigjenit dhe asgjë tjetër, të cilën e merrnin pacientët”, tregon pulmologu për periudhën kur fluksi i pacientëve me coronavirus ka qenë i lartë dhe klinika është mbingarkuar dhe brenda ditës vizitat ambulantore kanë arritur mbi 160 vizita këtu duke shtuar dhe kujdesin që është dashur të bëhet për 101 pacientët e shtrirë në këtë klinikë.

Ai thotë se këtë periudhë e kanë kaluar jashtëzakonisht rëndë.

“Ka qenë periudha ku ne kemi kujdestaruar çdo të tretët ditë që nënkupton nëse unë sot jam kujdestar të nesërmen shkoj dhe pushoj tek shëpia, të pasnesërmen më është dashur prap të dal në kujdestari (24 orë)”, vazhdon tutje rrëfimin.

Sa i përketë përcaktimit të kujdestarisë për 12 orë Thaçi thotë se këtë gjë e përcakton menaxhmenti i Shërbimit Spitalor Klinik Universitar i Kosovës.

#KALLXOPernime mund të ndiqni LIVE në Facebook të KALLXO.com dhe në RTV Dukagjini.