Publikoi në rrjete sociale se do ta shes votën, arrestohet 20 vjeçari në Skenderaj

“Shes votën sipas marrëveshjes”, ishte një postim që i kushtoi me arrestim nga Policia 20 vjeçarit me inicialet K.G. Ai është arrestuar nën dyshimin për dhënie apo marrje ryshfeti në lidhje me votim.

Zëdhënësi i Policisë për Rajonin e Mitrovicës, Avni Zahiti ka konfirmuar rastin për KALLXO.com.

Të menjëhershme kanë qenë veprimet e hetuesve policor të Stacionit Policor të Skenderajt.

“Veprimet hetimore janë ndërmarrë me autorizim të prokurorit, mbi dyshimet e bazuara se i dyshuari në një faqe të rrjeteve sociale ka publikuar-shpallur, se shet votën e tij sipas marrëveshjes”, tha Zahiti për KALLXO.com.

Tutje ai shtoi se i dyshuari është duke u intervistuar në lidhje me veprën penale e cila i ngarkohet.

“Ndërsa pas intervistës me urdhër të prokurorit të çështjes, i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt. Ndaj tij është iniciuar rast për veprën penale dhënie ose marrje e ryshfetit në lidhje me votimin neni 212”, tha Zahiti për KALLXO.com.