Publikohet ueb-faqja e Pavijonit të Kosovës në Bienalen e Venedikut
Kosova do të marrë pjesë për herë të pestë në Ekspozitën e 59-të Ndërkombëtare të Artit – Bienalen e Venedikut, që hapet më 23 prill 2022 dhe zgjatë deri më 27 nëntor 2022.
Në këtë edicion Kosova prezantohet me ekspozitën personale të Jakup Ferrit, “Monumentaliteti i përditshmërisë”, e cila do të ekspozohet në hapësirën ekspozuese “Arsenale” të qytetit monumental italian.
Kur kanë mbetur edhe një javë deri në hapej të ekspozitës 59-të Bienales në Venedik, ekipi kosovar ka publikuar edhe ueb-faqen e Pavijonit të Kosovës.
Përmes kësaj ueb-faqeje, do të prezantohet puna dhe informacione rreth pavijonit kosovar në Venedik.
Në Bienalen e 59-të të Artit 2022, Jakup Ferri do të prezantojë pikturat, qëndisjet dhe qilimat në një instalacion të madh specifik për lokacionin të titulluar: “Monumentaliteti i përditshmërisë”, thuhet në ueb-faqen e Pavijonit të Kosovës.
Shumë prej vizatimeve të Ferrit, në të cilat janë të vendosura qëndisjet dhe pikturat, tregojnë skena të përditshmërisë që përfshijnë kafshë, fëmijë, akrobatë, muzikantë dhe aktivitete sportive, si: noti, zhytja e çiklizmi.
Pavijoni i Kosovës kurohet nga Inke Arns nga Gjermania.