Publikohet raporti “Strategjitë në fushën e arsimit të lartë në Kosovë”

Organizata ‘Admovere’ ka publikuar raportin “Strategjitë në fushën e arsimit të lartë në Kosovë” qëllimi i të cilit ka qenë të analizojë dhe krahasojë paraqitjen e problematikave të arsimit të lartë gjatë planifikimit strategjik.

Raporti është fokusuar në pesë indikator: transparenca dhe llogaridhënia, punën shkencore, gjithëpërfshirjen, ndërlidhjen e programeve të studimit me tregun e punës dhe akreditimin.

Raporti krahason dhe shqyrton objektivat e përcaktuara dhe nivelin e përmbushjes së tyre në mes të të gjitha strategjive (dhe planeve të veprimit) të arsimit të lartë në Kosovë, të nxjerra nga Qeveria e Kosovës dhe Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI), dhe në mes të strategjive (dhe raporteve vjetore) të Universitetit të Prishtinës (UP).

Drejtori ekzekutiv i organizatës ‘Admovere’ dhe bashkautori i këtij raporti, Nuhi Sadiku ka thënë se raporti është analizë krahasimtare e dokumenteve kryesore të planifikimit strategjik për arsimin e lartë të nxjerra nga tri nivele institucionale.

“Ndërsa, si konkludime përmendi se “(1) ka një hendek të madh në mes të planifikimit, monitorimit dhe zbatimit në praktikë të masave të parapara për t’u ndërmarrë; (2) niveli i transparencës në Universitetin e Prishtinës po përcjell një trend të rritjes; (3) mekanizmat për zhvillim profesional të stafit akademik nuk janë të mjaftueshme; (4) Plani Strategjik i Arsimit në Kosovë 2017 – 2021, kur përmend gjithëpërfshirjen kryesisht mendohet për nivelet më të ulëta të arsimit, e më pak për arsimin e lartë; (5) një shtysë shumë pozitive në motivimin e stafit akademik për publikime shkencore, ka qenë Rregullorja për financimin e botimeve e miratuar nga Universiteti i Prishtinës (UP)”, ka thënë Sadiku.