Konferenca për publikimin e "Raportit të Shoqërisë Civile për të Drejtat e Njeriut 2021". Foto: KALLXO.com

Publikohet raporti i Shoqërisë Civile për të Drejtat e Njeriut

37 organizata të shoqërisë civile janë bashkuar që të punojnë e të gjejnë shkelje të të drejtave të njeriut në Kosovë.

Puna e tyre ka sjellë sot rezultat, me ç’rast është mbajtur konferenca për publikimin e “Raportit të Shoqërisë Civile për të Drejtat e Njeriut 2021”.

Drejtoresha ekzekutive e Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut-Kosovë (YIHR KS), Marigona Shabiu ka thënë se raporti konkludon se situata e të drejtave të njeriut nuk ka shënuar ndonjë përmirësim në vitin 2021.

“Ky raport ofron rekomandime konkrete për institucionet e Kosovës”, ka thënë ajo.

Tutje ajo ka shtuar se i bën thirrje institucioneve që të marrin masa në këtë drejtim.

“Në emër të organizatave që kanë kontribuar në këtë raport, i bëjmë thirrje institucioneve që t’i adresojnë gjetjet e këtij raporti. Nëse nuk bëhet një gjë e tillë, gjendja do të përkeqësohet”, është shprehur Shabiu.

Pjesëmarrës në këtë konferencë ka qenë këshilltari politik i ministres së Drejtësisë, Alban Muriqi.

Ai ka thënë se kjo ministri është duke punuar në përmirësimin e gjendjes.

Për këtë, Muqiri është shprehur se shoqëria civile ka një rol të rëndësishëm.

“Shoqëria civile luan një rol të pakontestueshëm në aspektin e të drejtave të njeriut”, tha ai.

Në anën tjetër, edhe Avokati i Popullit i Republikës së Kosovës, Naim Qelaj ka thënë se konsideron që është një bërë një punë e madhe nga shoqëria civile, pasi sipas tij ky raport ka një perspektivë tjetër.

“Është raporti i rëndësishëm pasi ka komunikim të drejtpërdrejtë me popullin dhe jo vetëm institucione”, është shprehur Qelaj.

Ai po ashtu ka thënë se do e vlerësonte nëse në raporte të tilla do të dilnin rekomandime edhe për institucionin e Avokatit të Popullit.

“Unë mund të them se pjesa dërmuese e gjetjeve dhe e rekomandimeve janë të ngjashme me raportet tona. Do e vlerësoja shumë nëse në raporte të tilla dalin rekomandime edhe për institucionin e Avokatit të Popullit”, ka thënë Qelaj.

Ai po ashtu i ka bërë thirrje autoriteteve të shtetit që t’i marrin parasysh rekomandimet dhe gjetjet e raporteve të tilla.

Në anën tjetër, juriskonsulti në Gjykatës Kushtetuese, Sevdali Kastrati këtë raport dhe përmbajtjen e tij e ka cilësuar si mbresëlënës.

“Raporti në shumicën e përmbajtjeve të saj është mbresëlënëse”, është shprehur Kastrati.

Ai po ashtu përmendi se në Gjykatën Kushtetuese ka persona që janë paraqitur për shkelje të të drejtave të njeriut.

“Në Gjykatën Kushtetuese ka pasur persona që janë paraqitur për shkelje të të drejtave të njeriut”, tha Kastrati.

Pjesëmarrës në panelin për diskutim në këtë konferencë po ashtu kanë qenë Drejtoresha Ekzekutive e NSI, Jovana Radosavljeviç, Drejtori Ekzekutiv i CEL, Blert Morina dhe koordinatorja e projekteve ne Rrjetin e Grave të Kosovës, Valmira Rashiti.