Publikohet raporti i qëndrueshmërisë së OSHC-ve në Kosovë

Të mërkurën në Prishtinë është prezantuar raporti i Qëndrueshmërisë së Organizatave të Shoqërisë Civile në Kosovë për vitin 2021.

Raporti ka bërë matjen në shtatë indikatorë, duke përfshirë qëndrueshmërinë e OSHC-ve në Kosovë, mjedisin ligjor, kapacitetin organizativ, realizueshmërinë financiare, avokimin, ofrimin e shërbimeve, infrastrukturën sektoriale dhe imazhin publik.

Të dhënat tregojnë se OSHC-të në Kosovë nga viti në vit kanë shënuar përmirësim në këta indikatorë.

Sipas raportit, gjatë vitit të kaluar, financimi i OSHC-ve nga buxheti i shtetit u shtua ndërsa edhe numri i tyre ishte më i madh se viteve të kaluara.

“Përderisa vetëm 420 OSHC morën mbështetje nga qeveria në vitin 2020, ky numër u rrit në 1,073 në vitin 2021, ndërsa numri i OSHC-ve që pranuan mbështetje nga komunat u rrit nga 939 në 2,677”- tha Kushtrim Shaipi nga IQ Consulting.

Të dhënat nga raporti tregojnë po ashtu se edhe numri OSHC-ve të regjistruara gjatë vitit 2021, u rrit.

Raporti gjithashtu thekson se gjatë vitit 2021, Organizatat e Shoqërisë Civile patën një imazh publik pozitiv në opinion.

“OSHC-të perceptohen pozitivisht nga publiku. Anketimet e perceptimeve të qytetarëve tregojnë nivele të larta të mbështetjes për shoqërinë civile, të krahasueshme vetëm me mbështetjen për FSK-në” – thuhet në raport.