
Publikohet raporti i ekipit të Auditimit Social në Malishevë, cilat janë gjetjet në projektin në vlerë 1.4 milion euro?
Një grup prej 16 qytetarëve, të profesioneve e moshave të ndryshme, u bënë pjesë e ekipit të Auditimit Social në Komunën e Malishevës dhe për disa muaj kanë monitoruar realizimin e projektit “Ndërtimi, trajtimi dhe pastrimi i shtratit të lumit me strukturën përcjellëse nga ura në qendër deri te transiti në Malishevë”, i cili kap vlerën e 1.4 milion eurove.
Puna disamujore e ekipit të Auditimit Social në Malishevë, që nga faza e planifikimit të projektit e deri në implementimin e tij, përfshin trajnimin, hulumtimin dhe analizimin e dokumenteve, takimet me udhëheqësit komunal e vizita në terren. Puna e ekipit të Auditimit Social në Malishevë është finalizuar me grumbullimin e gjetjeve dhe rekomandimeve në një raport.
Në raportin 28-faqësh ekipi ka renditur gjetjet dhe rekomandimet e përgjithshme por edhe ato specifike për projektin e monitoruar.
Disa prej gjetjeve në lidhje me projektin “Ndërtimi, trajtimi dhe pastrimi i shtratit të lumit me strukturën përcjellëse nga ura në qendër deri te transiti në Malishevë” janë injorimi i qasjes për persona me aftësi të kufizuar, betonimi i pjesës së poshtme të shtratit të lumit, i cili rrezikon biodiversitetin dhe rreziku për zvarritje të projektit final.
Raportin e plotë me të gjitha gjetjet dhe rekomandimet mund ta gjeni në këtë LINK.
Gjithashtu, më poshtë mund të shihni dokumentarin që shfaq pamjet e punës disamujore të ekipeve të Auditimit Social në gjashtë komunat e përzgjedhura, duke filluar nga trajnimi i qytetarëve mbi procesin e Auditimit Social, takimet dhe diskutimet e shpeshta të grupeve, vizitat në terren, takimet me udhëheqësit komunalë dhe finalizimin e raporteve.
Dokumentimi i punës së “Heronjve të Komunitetit”
Punën dhe angazhimin e qytetarëve aktivë në monitorim të projekteve dhe rekomandim të përmirësimit në projekteve specifike por edhe në punët e tjera që do të implementohen nga komunat mund ta gjeni në këtë LINK.
Si koncept i ri në Kosovë, Auditimi Social nisi të implementohet nga DEMOS dhe organizata të shoqërisë civile në vitin 2022 për t’u vazhduar më pas në vitin 2023 dhe në vitin 2024 nga DEMOS dhe MAPL.
Gjatë vitit 2024, BIRN dhe D+ me mbështetjen e DEMOS ndihmuan në themelimin 11 ekipeve të Auditimit Social në gjashtë komuna, Gjakovë, Pejë, Klinë, Malishevë, Lipjan dhe Obiliq. Ndërsa organizata KLGI me mbështetjen e MAPL-së ndihmuan në themelimin e ekipeve të Auditimit Social në gjashtë komuna të tjera, Skenderaj, Drenas, Viti, Kaçanik, Rranillug dhe Shtime.
Projekti për Decentralizimin dhe Përkrahjen e Komunave (DEMOS), i cili bashkëfinancohet nga Bashkimi Europian, Qeveria zvicerane dhe Qeveria suedeze dhe zbatohet nga Helvetas Swiss Intercooperation Kosovë, mbështet 38 komuna të Republikës së Kosovës në arritjen e qeverisjes lokale më demokratike dhe menaxhimit më të mirë komunal. Projekti DEMOS gjithashtu mbështet Qeverinë e Kosovës në zhvillimin e politikave, të cilat janë më të favorshme për financim të bazuar në rregulla për komunat.