Publikohet raporti i ekipit të Auditimit Social në Lipjan, cilat janë gjetjet në projektet në vlerë mbi 496 mijë euro?

Një grup prej 27 qytetarëve, të profesioneve e moshave të ndryshme, u bënë pjesë e ekipit të Auditimit Social në Komunën e Lipjanit dhe për disa muaj kanë monitoruar realizimin e dy projekteve, “Ndërtimi i sallës së sporteve në shkollën Ismail Luma” dhe “Ndërtimi i çerdhes në Rufc të Ri – faza e dytë”, të cilët kapin vlerën e mbi 496 mijë eurove.

Puna disamujore e ekipit të Auditimit Social në Lipjan, që nga faza e planifikimit të projektit e deri në implementimin e tij, përfshin trajnimin, hulumtimin dhe analizimin e dokumenteve, takimet me udhëheqësit komunal e vizita në terren. Puna e ekipit të Auditimit Social në Lipjan është finalizuar me grumbullimin e gjetjeve dhe rekomandimeve në një raport.

Në raportin 30-faqësh ekipi ka renditur gjetjet dhe rekomandimet e përgjithshme por edhe ato specifike për projektin e monitoruar.

Disa prej gjetjeve në lidhje me projektin “Rregullimi i sallës së sportit në shkollën Ismail Luma” ishin gabimet në planifikimin e projektit, distanca fizike mes sallës dhe shkollës, mungesa e zhveshtores, e dhomës së rekuizitave, e sanitarisë së veçantë, problemi i kapacitetit të ngrohjes dhe mosplanifikimi i qasjes për personat me aftësi të kufizuar.

Ndërsa në projektin e dytë “Ndërtimi i çerdhes në Rufc të Ri” ekipi ka evidentuar mungesë të rrethojave të oborrit të çerdhes, këndi i lojërave i papërshtatshëm për fëmijët e çerdhes e intervenimet në hapësirat e brendshme të çerdhes.

Raportin e plotë me të gjitha gjetjet dhe rekomandimet mund ta gjeni në këtë LINK.

Gjithashtu, më poshtë mund të shihni dokumentarin që shfaq pamjet e punës disamujore të ekipeve të Auditimit Social në gjashtë komunat e përzgjedhura, duke filluar nga trajnimi i qytetarëve mbi procesin e Auditimit Social, takimet dhe diskutimet e shpeshta të grupeve, vizitat në terren, takimet me udhëheqësit komunalë dhe finalizimin e raporteve.

Dokumentimi i punës së “Heronjve të Komunitetit”

Punën dhe angazhimin e qytetarëve aktivë në monitorim të projekteve dhe rekomandim të përmirësimit në projekteve specifike por edhe në punët e tjera që do të implementohen nga komunat mund ta gjeni në këtë LINK.

Si koncept i ri në Kosovë, Auditimi Social nisi të implementohet nga DEMOS dhe organizata të shoqërisë civile në vitin 2022 për t’u vazhduar më pas në vitin 2023 dhe në vitin 2024 nga DEMOS dhe MAPL.

Gjatë vitit 2024, BIRN dhe D+ me mbështetjen e DEMOS ndihmuan në themelimin 11 ekipeve të Auditimit Social në gjashtë komuna, Gjakovë, Pejë, Klinë, Malishevë, Lipjan dhe Obiliq. Ndërsa organizata KLGI me mbështetjen e MAPL-së ndihmuan në themelimin e ekipeve të Auditimit Social në gjashtë komuna të tjera, Skenderaj, Drenas, Viti, Kaçanik, Rranillug dhe Shtime.

Projekti për Decentralizimin dhe Përkrahjen e Komunave (DEMOS), i cili bashkëfinancohet nga Bashkimi Europian, Qeveria zvicerane dhe Qeveria suedeze dhe zbatohet nga Helvetas Swiss Intercooperation Kosovë, mbështet 38 komuna të Republikës së Kosovës në arritjen e qeverisjes lokale më demokratike dhe menaxhimit më të mirë komunal. Projekti DEMOS gjithashtu mbështet Qeverinë e Kosovës në zhvillimin e politikave, të cilat janë më të favorshme për financim të bazuar në rregulla për komunat.