Publikohet raporti i BIRN dhe Internews Kosova - “Përkëdhelja e Korrupsionit”

Rrjeti Ballkanik i Gazetarisë Hulumtuese – BIRN dhe Internews Kosova kanë publikuar sot raportin e 15-të të monitorimit të sistemit gjyqësor dhe prokurorial në Kosovë.

Raporti titullohet “Përkëdhelja e Korrupsionit” dhe në të janë analizuar aktgjykimet dënuese të 40 rasteve të korrupsionit të nxjerra gjatë vitit 2020.

Ky raport i monitorimit është fokusuar në analizimin e politikës ndëshkimore në rastet e korrupsionit të shqiptuara nga gjykatat e Kosovës gjatë vitit 2020 dhe gjithashtu në analizën e performancës së gjyqësorit në trajtimin rasteve të korrupsionit.

Raporti qet në pah dënimet e ulëta të korrupsionit dhe rrethanat të cilat janë marrë parasysh për shqiptimin e dënimeve më të ulëta.

Ky raport tregon se gjyqtarët nuk e kanë zbatuar udhëzuesin e politikës ndëshkimore të cilin pak vite më parë e kishte nxjerrë Gjykata Supreme e Kosovës.

Pos tjerash raporti trajton numrin e madh të rrethanave lehtësuese që merren për bazë karshi atyre rënduese në rastet penale të cilat ndikojnë në lartësinë e dënimit.

Të pranishëm në konferencën për publikimin e raportit ishin Ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu, Kryeprokurori i shtetit Aleksandër Lumezi, Kryesuesi i KPK-së, Jetish Maloku, Kryesuesi i KGJK-së, Skender Çoçaj, Kryetari i Gjykatës Supreme Enver Peci, Kryetari i Gjykatës së Apelit Hasan Shala dhe kryeprokurori Special Blerim Isufaj.

Koordinatori i Zyrës Ligjore të BIRN dhe Internews Kosova, Labinot Leposhtica, prezantoi raportin e monitorimit me ç’rast tha se sistemi i drejtësisë ka dështuar të shqiptojë dënimet adekuate të rasteve të korrupsionit.

Ai tha se është shqetësues numri i rrethanave lehtësueses të marra dhe të paarsyetuara nga gjyqtarët në rastet e korrupsionit.

“Ka jashtëzakonisht shumë rrethana lehtësuese, nga kjo analizë kemi vërejtur se në 40 aktgjykime janë marrë 218 rrethana lehtësuese dhe rënduese përderisa 80% prej tyre janë rrethana lehtësuese”, tha Leposhtica.

Ai tregoi edhe se nga 40 rastet të cilat i kanë analizuar ka dalë që në vetëm 3 prej tyre gjyqtarët kanë marrë parasysh më shumë rrethana rënduese sesa lehtësuese.

Sipas tij marrja e këtyre rrethanave pa ndonjë arsye ndikon në shqiptimin e dënimeve shumë herë më të ulëta se sa normalisht do të duhej të ishin.

Ai shtoi se për të përmirësuar këtë politikë të dënimeve nevojitet një udhëzues i posaçëm i rasteve të korrupsionit.

Pas prezantimit të raportit, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, tha se gjetjet janë shqetësuese dhe tregojnë se sistemi i drejtësisë ka nevojë për reformë të thellë.

“Sistemi gjyqësor dhe prokurorial ballafaqohet me problem të shumta dhe padyshim që raporte si ky me të gjetura shqetësuese tregojnë se sistemi gjyqësor dhe prokurroal kanë nevojë për reformë të thellë dhe kemi nisur punën në këtë drejtim”, tha Haxhiu.

Ajo shtoi se dënimet e ulëta të korrupsionit nuk shërbejnë si parandalim por si stimulim i kësaj dukurie.

Ndërsa kryesuesi i Këshillit Gjyqësor, Skender Çoçaj dhe ai i Këshillit Prokurorial të Kosovës, Jetish Maloku, deklaruan se do t’i adresojnë të gjitha gjetjet dhe rekomandimet e këtij raporti.

Më i zëshmi në këtë konferencë ishte Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi.

Lumezi tha se janë të vetëdijshëm për gjendjen në sistemin e drejtësisë mirëpo që kjo të tejkalohet sipas tij është e domosdoshme që sistemi të veprojë në mënyrë unike dhe jo në mënyrë zinxhirore.

Sipas tij prokuroria ka punuar pasi deri me tani kanë akuzuar ish-kryeministër, deputetë, ministra, prokurorë, gjyqtarë e policë, hetues dhe kryetarë të komunave.

Ai pati kritika për sistemin gjyqësor, i cili zbutjen e dënimeve është duke e bërë rregull edhe pse parashihet si përjashtim.

“Zbutja e dënimeve nën minimumin e paraparë ligjor, 81% faktikisht zbutja e dënimit nën minimumin e paraparë është përjashtim, nuk është rregull, ne jemi duke e bërë rregull, faktikisht këtu palët nuk janë të barabarta”, tha Lumezi.

Lumezi në këtë konferencë doli kundër Vetting-ut pasi sipas tij ajo duhet të bëhet nga vetë sistemi përmes kontrollit më të madh të gjyqtarëve dhe prokurorëve nga ana e komisioneve disiplinore.

“Vetting-u u bo si fe, çka është ky Vetting-u? Vetting-un duhet me ba ne, dhe ne me e këqyrë, ne duhet me e bo se ma mirë se ne, as ministria, as presidenca, as kurrkush pasi ne e dimë çka kemi brenda, këtu duhet të jetë kontrolli më i madh nga ana e këshillave dhe komisioneve në mënyrë që ata gjyqtarë ose ata prokurorë që nuk i zbatojnë rregullat duhet të sanksionohen brenda sistemit”, tha Lumezi.

Kundër Vetting-ut u deklarua edhe kryetari i Gjykatës Supreme, Enver Peci.

Peci tha se sistemi i drejtësisë ka ligjin dhe mekanizmat që çdo ditë e bëjnë Vetting-un ndërsa sa i përket gjetjeve të raportit ai hodhi kritika mbi gjyqtarët të cilët po shqiptojnë dënime të ulëta dhe dënime me kusht.

“Nëse presim me i verifku rend krejt gjyqtarët merr kohë, mirëpo neve na duhet me i forcu mekanizmat e brendshëm, ne e kemi ligjin që përditë jemi në Vetting”, tha Peci.

Ndërsa sa i përket politikës ndëshkimore ai tha se vet është angazhuar për hartimin e një udhëzuesi të tillë që do të ndikonte në dënime më meritore dhe do t’i ndihmonte gjyqtareve pasi kanë ekzistuar problemet e njëjta që janë shfaqur në këtë raport.

“Qëllimi i udhëzuesit ka qenë si pikënisje pasi në të i kemi parapa problemet që po ndodhin në sistem tani. Udhëzuesi ka pasë për qëllim me ju tregu gjyqtareve se ku po gabojnë, dhe sa u përket rrethanave lehtësueses disa prej tyre nuk mund të jenë fare rrethana lehtësuese”, tha Peci.

Ai shtoi se vet si gjyqtar nuk ka gjetur asnjëherë asnjë rrethanë lehtësuese që e arsyeton dënimin me kusht.

“Korrupsioni me kështu, unë si gjyqtar nuk di ku me gjetë një rrethanë që me e arsyetu dënimin me kusht, andaj edhe shpejt kemi me e publiku udhëzuesin e ri për rastet e korrupsionit i cili besoj që ka me u ndihmu gjyqtarëve”, tha Peci.

Konferencën e publikimit të raportit vjetor të monitorimit të sistemit të drejtësisë nga Organizatat BIRN dhe Internews Kosova do të shfaqet në emisionin Kollxo Përnime, në RTV Dukagjini dhe direkt në KALLXO.com.