Publikohet në gazetën zyrtare Kodi i ri i procedurës penale

 

Kodi i ri i Procedurës Penale është publikuar në gazetën zyrtare.

Ky Kod i cili u publikua më datën 17 gusht pritet ta shfuqizojë Kodin e Procedurës Penale i cili ishte në fuqi që nga viti 2012.

Ky Kod pritet të sjellë risi në aspektin procedural gjyqësor pasi pritet të trajtojë çështje të reja të cilat nuk  kanë qenë të rregulluara më parë.

Gjykimi në mungesë, ankesa ndaj vendimeve të prokurorëve për kallëzimin penal, afate më të gjata hetimore dhe mundësia e rikthimit në rigjykim të çështjes nga Gjykata Supreme në dëm të të akuzuarit janë disa nga risitë të cilat pritet të hyjnë në fuqi në Kosovë.

Sipas këtij Kodi gjykimi në mungesë lejohet kur i akuzuari ka qenë i pranishëm në seancë fillestare ku është njoftuar se gjykimi mund të vazhdojë nëse i pandehuri nuk paraqitet në gjykim në mënyrë vullnetare dhe nëse i njëjti ka qenë prezent në gjykim por më pas nuk është paraqitur në seancat e ardhshme.

“Kur i akuzuari ka qenë i pranishëm në seancë fillestare dhe është informuar për datën e shqyrtimit gjyqësor nga gjyqtari i vetëm gjykues ose kryetari i trupit gjykues në pajtim me nenin 280 dhe 282 të këtij Kodi, apo gjatë ndonjë seancë tjetër gjyqësore dhe i akuzuari është njoftuar për detyrimin për të qenë i pranishëm për gjykim dhe se gjykimi mund të vazhdojë nëse i akuzuari vullnetarisht nuk paraqitet për gjykim; ose ka qenë i pranishëm në gjykim, por më pas nuk është paraqitur në seancat gjyqësore pasuese dhe është informuar për datën e re të shqyrtimit kryesor” – thuhet në nenin që rregullon gjykimin në mungesë.

Deri më tani në Kosovë të dëmtuarit në kallëzime penale nuk kanë pasur të drejtë të ankohen ndaj vendimeve të prokurorëve që i kanë hedhur ato kallëzime penale.

Tashmë kjo çështje është rregulluar me kodin e ri ku përcaktohet se çdo palë ka të drejtë të ankohet ndaj vendimit të prokurorit të shtetit për hedhjen e kallëzimit penal.

“Në qoftë se prokurori i shtetit e ka hedh poshtë kallëzimin penal, i dëmtuari ose viktima mund të paraqesë ankesë kundër aktvendimit për hedhjen e kallëzimit penal brenda tetë (8) ditëve nga pranimi i njoftimit sipas paragrafit 4 të këtij neni. Ankesa paraqitet në Prokurorinë e Apelit përmes prokurorisë themelore. Ankesa duhet të përmbajë faktet dhe arsyet e ankesës” – thuhet në nenin që e rregullon hedhjen poshtë të kallëzimit penal.

Nëse prokurori i shtetit nuk e trajton kallëzimin penal brenda afateve kohore të përcaktuara, kodi i ri ka paraparë që ndaj mostrajtimit të rastit të ankohet në Prokurorinë e Apelit.

“Pas kalimit të afatit prej gjashtë (6) muajsh nga paraqitja e kallëzimit penal apo aktvendimit nga paragrafi 6 i këtij neni, i dëmtuari ose viktima mund të parashtrojë ankesë drejtpërdrejtë në Prokurorinë e Apelit për dështimin e prokurorit që të ndërmerr veprime” – thuhet në nenin që trajton paraqitjen e  kallëzimit penal.

Ndryshim tjetër i paraparë me këtë kod, është rasti kur prokurori i shtetit fillon hetimin, për raste penale ka të drejtë që një çështje ta hetojë deri në 3 vjet.

Kjo pasi me Kodin e ri të procedurës penale është zgjatur afati edhe për 6 muaj.

Me Kodin aktual të procedurës, hetimet duhet të përfundojnë brenda 2 viteve, me mundësi zgjatje edhe për 6 muaj.

Po ashtu njëra nga risitë kryesore të këtij kodi është fakti se tashmë Gjykata Supreme mund të kthejë në rigjykim rastet në dëm të të akuzuarve për dallim nga kodi paraprak në të cilin vetëm mund të konstatonte shkelje.

“Kur Gjykata Supreme e Kosovës çmon se kërkesa e paraqitur për mbrojtjen e ligjshmërisë në dëm të të pandehurit është e bazuar, vetëm konstaton shkeljen e ligjit pa ndikuar në vendimin e formës së prerë, përveç nëse vendimi i formës së prerë është qartazi i papërshtatshëm ose i bazuar në gabim të rëndë” – thuhet në nenin që e rregullon këtë çështje.

Gjithashtu në kodin e ri është paraparë mundësia që në kohën nga ngritja e aktakuzës e deri në fillimin e shqyrtimit fillestar, gjykata t’iu ofrojë personave të interesuar qasje në disa të pjesë të aktakuzës.

“Nga momenti i ngritjes së aktakuzës dhe deri në shqyrtim fillestar, gjykata sipas kërkesës së palëve mundëson qasjen në inicialet e të pandehurit, kualifikimin ligjor të veprës penale dhe përshkrim të shkurtër të dispozitivit të aktakuzës” – thuhet në nenin që rregullon këtë çështje

Ndërsa nga momenti i fillimit të shqyrtimit fillestar në gjykatë, aktakuza është e qasshme për publikun.

Kodi i ri pritet të hyj në fuqi 6 muaj pas publikimit në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës.