Grafika: Trembelat për Kallxo.com

Publikohet lista e fituesve për botimin e teksteve shkollore

Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë(MAShT), ka publikuar listën përfundimtare me emrat e shtëpive botuese dhe autorëve, të cilët do të përgatisin tekstet për klasat 1, 2, 6, 7, 10 dhe 11.

Sipas kësaj liste për librat e nxënësëve që fillojnë vitin e ri shkollor 2019/2020 do të përgatiten kryesisht nga shtëpia botuese “Dukagjini”, “Albas” dhe “Pegi”.

Si rrjedhojë për klasën e parë në lëndën e Gjuhës Shqipe është shpallur fitues ‘Dukagjini’ ndërsa për librat alternativë janë shtëpitë botuese ‘Libri Shkollor’, ‘Albas’ dhe ‘Magjia e Librit’.

Librat e klasës së dytë do të jenë të shtypura nga shtëpia botuese “Dukagjini”, ku në to përfshihen: Gjuha Shqipe, Edukatë Muzikore, Matematikë, Njeriu dhe Natyra, Edukatë Fizike, Sportet dhe Shëndeti, Shoqëria dhe Mjedisi dhe Shkathtësi për jetë dhe TIK.

Përveç kësaj shtëpie botuese, gjithashtu nxënësit e këtij niveli do të pajisjen edhe me librat e ‘Albas’ në lëndën e Edukatës Figurative, dhe ato alternative edhe nga ‘Libri Shkollor’ dhe ‘Luarasi’.

Shtëpia botuese “Dukagjini” po ashtu do t’i përgatisë edhe librat e klasës së gjashtë, në lëndët Gjuhë Shqipe, Matematikë, Fizikë, Histori, Edukatë Figurative, Edukatë Muzikore, Edukatë Fizike, Shkathtësi për jetë dhe TIK, Biologji, Gjeografi ndërkaq ato alternativet do të jenë nga ‘Pegi’, Libri Shkollor, Luarasi’ dhe ‘Albas’. Për dallim nga këto lëndë, për atë Edukatë Qytetare do të përgatisë shtëpia botuese ‘Albas’ dhe atë alternativ, Libri Shkollor.

Përveç klasës 1-2-6 gjithashtu edhe klasat e 7-ta bëhen me tekste të reja shkollore.

Për tekstet e Gjuhës Shqipe, Matematikë, Fizikë, Edukatë Fizike,  Shkathtësi për Jetë dhe TIK, Biologji, Edukatë Qytetare të këtij niveli fitues është shpallur ‘Dukagjini’.

Në lëndët Gjeografi, Histori fitues është ‘Albas’ ndërkaq për tekstet e Edukatë Muzikore, nxënësit e kësaj klase do të pajisen me ato të shtëpisë botuese ‘Pegi’.

Në këtë listë hyjnë edhe tekstet e shkollës së mesme.

Nxënësit e klasës së dhjetë do të pajisjen kryesisht më libra të shtëpisë botuese ‘Albas’, Dukagjini’ dhe ‘Pegi’.

‘Albas’ do të përgatis tekste për Histori, Edukatë Qytetare, Gjeografi, dhe librin alternativ të Gjuhës Shqipe.

Fitues për lëndët; Gjuhë Shqipe, Matematikë, Shkathtësi për Jetë dhe TIK është shpallur ‘Dukagjini’.

Ndërkaq, shtëpia botuese ‘Pegi’ do të përgatisë tekstet e lëndëve Edukatë Figurative, Edukatë Muzikore, tekstin alternativ për lëndën Shkathtësi për Jetë dhe TIK, dhe ajo botuese ‘Luarasi’ do pajisë nxënësit me libra të Fizikës.

As nxënësit e klasës së 11-të nuk do të mbesin pa tekste të reja shkollor në vitin shkollor 2019/2020.

Gjuha Shqipe, Historia, Kimia, Edukatë Qytetare, Biologji, Gjeografi, Psikologji dhe Filozofi do të përgatiten nga shtëpia botues “Albas”.

Në anën tjetër, shtëpia botuese ‘Berati’ është shpallur fitues për lëndën Edukatë Figurative.

Teksti i Matematikës do të përgatitet nga ‘Libri Shkollor’ dhe nga libri alternativ i ‘Dukagjinit’.

Tekste të reja edhe në gjuhë boshnjake dhe turke

Sipas listës së publikuar nga MAShT, tekstet e gjuhës boshnjake për klasen e parë dhe të gjashtë, do të jenë nga autori Uzeir Ajradini, ndërsa për klasen e 10-të, Sadik Idrizi.

Mirëpo për klasat 2, 7 dhe 11 nuk janë publikuar emrat e autorëve vetëm me kode.

Gjithashtu edhe për klasën e 11-të në gjuhën turke nuk dihet autori. Po në këtë gjuhë autor për klasën e parë në lëndën e Edukatës Figurative është Ethem Baymak, në të njëjtën lëndë por në klasën e 6-të dhe 10-të janë Onat Baymak dhe Attila Beksac.

KALLXO.com më 20 maj kishte raportuar për listën preliminare të shtëpive botuese dhe autorëve, që do të merren me këto tekste.

Kosto e teksteve mbi 74 mijë euro

I gjithë procesi i vlerësimit të këtyre teksteve shkollore sipas të dhënave të Ministrisë së Arsimit ka kushtuar mbi 74 mijë euro, ku në këtë shumë nuk janë përfshirë pagesat e recensentëve.

Ndërsa sipas zëdhënësit të MAShT-it, Valmir Gashi, secili recensent do të paguhet me shumën prej 500 eurosh.

“Çështja e pagesave të recensentëve është në proces, ku secili nga ta do të paguhet nga 500 euro, konform Udhëzimit Administrativ për Recensentët”, tha Gashi për Gazetën Jeta në Kosovë.

Në këtë proces të teksteve të reja shkollore nuk janë përfshirë Abetarja dhe librat e gjuhëve të huaja, sepse sipas MAShT çdo ndryshim që merret vendim të bëhet për Abetaren duhet të bëhet në pajtim me Ministrinë e Arsimit në Shqipëri.

Ndërsa, ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi më 25 prill të këtij viti kishte thënë se asnjë libër i ri shkollor s’mund të kalojë nëse nuk i plotëson standardet.

Kurrikula e re shkollore ka hyrë në fuqi në vitin 2017, ndërsa shkollat kanë vazhduar të punojnë me tekste të vjetra shkollore ndaj të cilave ka pasur kritika edhe nga shoqëria civile edhe nga vetë institucionet.

Historiku

Në vitin 2017, Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut identifikoi mbi 100 raste të  gjuhës diskriminuese në tekste shkollore.

Sipas analizës së teksteve shkollore të nivelit të mesëm të lartë, në Kosovë të realizuar nga Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut (YIHR) janë gjetur mbi 100 formulime që përmbajnë gjuhë diskriminuese e përjashtuese.

Analizës së teksteve shkollore të nivelit të mesëm të lartë në Kosovë i janë nënshtruar 22 tekste shkollore të lëndëve Biologji, Edukatë Qytetare, Histori, Psikologji dhe Sociologji të klasave të 10-ta, 11-ta dhe 12-ta.

Parametrat në bazë të të cilëve janë analizuar këto tekste shkollore janë gjinia dhe seksualiteti, kombi, etnia dhe raca, të drejtat e njeriut, trupi dhe aftësia, diversiteti dhe barazia shoqërore.

KALLXO.com pati raportuar për përmbajtje diskriminuese në tekstet shkollore në Kosovë.

Në disa tekste shkollore, si te libri Njeriu dhe Natyra të klasës së pestë te kapitulli Zhvillimi individual i njeriut, Kallxo.com pati gjetur se shkruhet që zbulimi i belit nga femrat shkakton sterilitetin, që në gjuhën mjekësore i bie pamundësia për të lindur fëmijë.