Publikohet libri për fëmijë "Uta e maleve"

Është publikuar sot libri më i ri i ilustruar për fëmijë “Uta e maleve” i autores Tefta Kelmendi, i bazuar në eksperiencën personale të alpinistes Uta Ibrahimi.  

Ilustrimet janë bërë nga Katerina Nikolovska. 

Libri përshkruan udhëtimin e Utës nga fëmijëria e deri në ngjitjen në majen e malit më të lartë në botë, Mont Everest.  

Ky libër ka përmbajtje edukative, ku trajtohen temat si mbrojta e natyrës, të drejtat e grave, dhe puna si mjet drejt suksesit.  

Qëllimi i librit është që t’i frymëzojë fëmijët që të shohin mundësitë e mrekullueshme që sjell jeta, shumë prej tyre përtej të zakonshmes, dhe të rrisë kureshtjen dhe besimin e tyre që ëndrrat mund të realizohen.  

Ky është libri i parë i autores Tefta Kelmendi dhe Uta Ibrahimi, dhe pritet që të vazhdohet edhe me libra tjerë të ilustruar për fëmijë.

Libri “Uta e maleve” është mundësuar në bashkëpunim me agjencitë e OKB-së në Kosovë – UNWOMEN, UNDP, UNFPA, UNICEF, dhe entitetet e tjera të ekipit të Kosovës të agjencive të OKB-së (UNKT), Komunës së Prishtinës, Ministrisë së Kulturës, Fondacionit Utalaya dhe Studio Permanent.  

Uta Ibrahimi është e para shqiptare që u ngjit në majën e Mont Everestit në maj të vitit 2017 dhe me krenari mban titullin e Kampiones së Objektivave për Zhvillim të Qëndrueshëm (SDGs) të OKB-së. 

Libri mund të porositet në librarinë “Dukagjini”, me çmim prej 6 eurove. 

Linku për porosi: https://bit.ly/3eMgBDg