Publikohet letra e pozicionit “Politika e energjisë së ripërtëritshme në Kosovë”

Ekipi i projektit “Evropianizimi i Agjendës Mjedisore të Kosovës”, që përbëhet nga “BIRN Kosova”, “CEE Bankwatch”, “ERA Group” dhe “TV Mrezha”, kanë publikuar analizën “Politika e energjisë së ripërtëritshme në Kosovë” ku tregohet cilat kanë qenë caqet e përgjithshme të energjisë së ripërtëritshme për 2020, cila janë planet kundrejt realitetit për vitin 2020 dhe cila është perspektiva e vitit 2030 – çfarë pritet nga Kosova?.

Kjo analizë tregon se Kosova e ka përmbushur cakun e saj të përgjithshëm të energjisë së ripërtëritshme për vitin 2020.

Në letër, pozicioni tregohet se Kosova ka arritur progres shumë të dobët drejt përmbushjes së cakut për energjinë e ripërtëritshme në transport dhe planet për t’u mbështetur në hidrocentrale të vogla për të rritur përqindjen e energjisë së ripërtëritshme në sektorin e energjisë elektrike. Sipas analizës këto sektore nuk arritën të prodhojnë sasi të konsiderueshme të energjisë elektrike (2.3 për qind më 2019).

“Përkundër rishikimit të Planit Kombëtar të Veprimit për Energji të Ripërtëritshme më 2018, Kosova nuk arriti të ndërtojë kapacitete solare, të erës ose hidrocentrale të vogla, sa ishte planifikuar fillimisht, dhe që nga viti 2019 kishte arritur të sigurojë vetëm 5.15 për qind të energjisë elektrike të ripërtëritshme – më pak se çdo shtet tjetër anëtar i Komunitetit të Energjisë, përveç Moldavisë”, thuhet në analizë.

Letra e pozicionit tregon po ashtu se e tërë periudha nga vendosja e cakut të energjisë së ripërtëritshme më 2012 deri në vitin 2020 u karakterizua me anashkalim të vazhdueshëm të energjisë së ripërtëritshme dhe fokus në planet për termocentralin me thëngjill “Kosova e Re”, ndërsa kapacitetet solare dhe të erës kanë filluar të shtohen vetëm tri apo katër vitet e fundit.

Përmes raportit, ekipi i projektit ka dhënë disa rekomandime për Qeverinë e Kosovës, Komisionin Evropian, IFC dhe BERZH, Organizatat e Shoqërisë Civile në Kosovë dhe Sekretariatin e Komunitetit të Energjisë.

Në dhjetor 2018, në BE hyri në fuqi Direktiva e re e Energjisë së Ripërtëritshme, e cila vazhdon të përdorë përkufizimin e energjisë së ripërtëritshme të vendosur në 2009. Ajo përkufizon ‘energjinë nga burimet e ripërtëritshme’ si “energji nga burimet e ripërtëritshme jofosile, përkatësisht energjia e erës, diellit, aerotermike, gjeotermike, hidrotermike dhe oqeanike, hidrocentralet, biomasa, gazi i deponive, gazi i impianteve të trajtimit të ujërave të zeza, dhe biogazrat”.

Direktiva përmban një cak të përgjithshëm të energjisë së ripërtëritshme prej 32 për qind të konsumit bruto të energjisë përfundimtare deri më 2030. Shtetet anëtare të BE-së duhet t’i përcaktojnë kontributet kombëtare për të përmbushur, në mënyrë kolektive, cakun e përgjithshëm detyrues të Bashkimit si pjesë e dokumenteve që quhen plane të integruara kombëtare të energjisë dhe klimës (PKEK).

Në letër pozicioni thuhet se e ashtuquajtura Rregullore e Qeverisjes së BE-së përcakton kërkesat për plane të tilla. Ato bashkojnë caqet e reduktimeve të emetimeve të gazrave serrë, caqet e energjisë së ripërtëritshme dhe caqet e efiçiencës së energjisë, si dhe do të hartohen për periudha dhjetëvjeçare, me PKEK-të e para që do mbulojnë periudhën 2021-2030. Kjo do të thotë se nuk ka më detyrim për të miratuar Plane Kombëtare të Veprimit për Energji të Ripërtëritshme.

Por, Komisioni Evropian tani ka propozuar rritje të cakut për ulje të gazit serrë të BE në 55 për qind, krahasuar me nivelet e vitit 1990, nga caku aktual prej 40 për qind. Për ta arritur këtë cak, do të duhet të ngrihet edhe caku i energjisë së ripërtëritshme për vitin 2030. Nuk ka drafte në dispozicion publik, por raportet e mediave sugjerojnë që Komisioni do të propozojë një cak prej 38-40 për qind të energjisë së ripërtëritshme deri më 2030.

Ekipi i projektit ka gjetur se diskutimet brenda Komunitetit të Energjisë janë aktualisht duke u zhvilluar për të vendosur caqet e vitit 2030. Një studim i kryer nga konsorciumi E3M është duke vazhduar që nga maji 2021 dhe pritet të paraqesë skenarin bazë si dhe metodologjinë për përcaktimin e caqeve që do të paraqitet në korrik 2021 në takimin jozyrtar të Këshillit Ministror të Komunitetit të Energjisë.

Zhvillimi i caqeve për 2030 dhe PKEK-ve janë hapa të domosdoshëm për të siguruar vazhdim e tranzicionit nga karburantet fosile drejt një shoqërie të bazuar në burime të ripërtëritshme me efiçiencë energjetike, por sikurse me caqet e vitit 2020, ende ka rrezik që do të përfitojnë hidrocentralet dhe teknologjitë e tjera të paqëndrueshme të ripërtëritshme.