Presheva. Foto: BIRN

Publikohet hulumtimi për situatën në veri e Luginë të Preshevës

Qendra për Demokraci dhe Edukim nga Lugina e Preshevës dhe OJQ Aktiv nga Mitrovica e Veriut kanë publikuar raportin “Nga sfidat e përbashkëta tek zgjidhjet e përbashkëta”.

Sipas këtij raporti të përbashkët., për qytetarët serbë që jetojnë në veri të Kosovës, zgjidhja mbetet ruajtja e status quo, ndërsa për shqiptarët në Luginë të Preshevës, zgjidhja shihet përmes njohjes së Kosovës nga ana e Serbisë

Gjithashtu në raport thuhet se çdo i katërti i anketuar nga Lugina e Preshevës mbështet skenarin e shkëmbimit të territoreve në veri të Kosovës për Luginën e Preshevës dhe një përqindje e vogël e mbështesin status quos.

Të anketuarit nga Lugina e Preshevës kanë besim më të madh në SHBA me 67%, në BE me 35% dhe në me NATO 47%.

Ndërsa për të anketuarit nga veriu i Kosovës përqindja e besimit është minimale, ata besojnë në BE 7%, në SHBA 9% dhe në OKB 20%, ndërsa 58% e serbëve nuk besojnë në asnjërën prej tyre.

Sipas të dhënave, 64% e shqiptarëve në jug kanë besim tek Qeveria e Kosovës përderisa tek serbët në veri kjo përqindje është vetëm 1.2%, ndërsa kanë besim më të madh në Qeverinë e Serbisë.

Sa i përket pengesave të dy palëve nga ana institucionale, problemi më dominant është mungesa e formularëve dhe dokumentacionit në gjuhën amtare në formë të shkruar.

Të anketuarit nga Lugina e Preshevës e konsiderojnë problemin më të madh gjendjen ekonomike dhe papunësinë, migrimin dhe largimin e të rinjve si dhe nostrifikimin e diplomave.

Ndërsa, sipas të anketuarve në veri, problemi kryesor është siguria e cenuar, krimi, korrupsioni dhe paqëndrueshmëria politike.

Një ndryshim është vërejtur tek të rinjtë serbë në veri, sepse vetëm 16% e tyre nuk mendojnë të jetojnë në Kosovë përderisa të 64% e të rinjve shqiptar në jug të Serbisë nuk mendojnë të jetojnë në të ardhmen aty.

Agoni Islami, koordinator i Qendrës për Demokraci dhe Edukim- Lugina Bujanoc, foli për problemet e përbashkëta të serbëve në veri dhe shqiptarëve në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc.

“Janë disa problematika të përbashkëta për qytetarët shqiptarë. Nostrifikimi i diplomave është problematik, ku çdo i treti qytetar ka shprehur këtë pakënaqësi, problem ky prej vitit 2008. Edhe moszhvillimi ekonomik i të dy territoreve dhe emigracioni, çdo i treti shqiptar në Preshevë dhe çdo i treti serb në Mitrovicë, mendojnë që jeta për ta në tre vitet e ardhshme do të jetë e papërballueshme”- pohoi Islami.

Miodrag Miliceviq, drejtor i OJQ AKTIV në Mitrovicë tha se përmes këtij raporti kanë synuar të që të vënë në pah dhe zbehin sado pak problemet ekzistuese të dy palëve.

“Qëllimi i përgjithshëm i hulumtimit është problemet e përbashkëta, që të dyja qeveritë të merren sidomos me të rinjtë dhe trendin e ikjes së tyre”- u shpreh Miliceviq.

Sipas raportit, 58% e shqiptarëve në jug të Serbisë mendojnë që jeta aty do të jetë më e keqe, ndërsa 71% e serbëve në veri të Kosovës mendojnë që jeta do të jetë më e keqe në vendin ku jetojnë.

Parakushtet që këta të rijnë të qëndrojnë në dy vendet janë arritja e një marrëveshje përfundimtare dhe gjithëpërfshirëse ndërmjet Kosovë dhe Serbisë, përfshirë zgjidhjen e problemeve të lartpërmendura.

Sa i përket marrëdhënieve të dy palëve rezultatet tregojnë se bashkëpunimet më të mira i kanë me kombësi të tjera se sa me njëri tjetrin.