Publikohen rezultatet preliminare të Këshillave të Fakulteteve të UP-së dhe për senatorë

Dje, ishte votuar në 14 fakultete të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” për anëtarë të këshillave të fakulteteve dhe për senatorë të Senatit të UP-së.

Ndërsa, rezultatet preliminare të këtyre zgjedhjeve janë publikuar në uebfaqe të secilit fakultet si dhe ka pasur rivotim për anëtarë të Senatit nga Administrata Qendrore.

“Rezultatet preliminare janë publikuar në secilën uebfaqe të fakulteteve, ndërsa sot ka pasur rivotim ose raund të dytë të votimit për anëtarë të senatit nga radha e Administratës, për shkak se dje nuk kanë arritur me kalu 50%, tash po mbyllen vendvotimet”, ka bërë të ditur sekretari i UP-së, Esat Kelmendi.

Sipas tij, ka pasur edhe balotazh për senat nga radhët e personelit akademik në FShMN dhe në atë të Edukimit.

Zgjedhjet për pjesëmarrës në këshilla të fakulteteve nuk u mbajtën në të gjitha fakultetet e UP-së pasi që në disa prej tyre numri i profesorëve është nën 30, kuotë kjo e paraparë për anëtarësim në këshill.

Në këto zgjedhje kanë qenë 52 kuti në vendvotime në të gjitha fakultetet e UP-së.

Pas kësaj, nga 3 korriku deri më 6 korrik është periudha e ankesave si dhe më 7 korrik do merret vendimi për këto ankesa dhe do të bëhet shpallja e rezultateve përfundimtare për anëtarët e këshillave të fakulteteve dhe senatorë.

Më 9 korrik do të mbahet mbledhja konstituive e këshillave të fakulteteve ku do të bëhet nënshkrimi i deklaratës etike si dhe zgjedhja e kryesuesit të përkohshëm, e cila do t’i hapë rrugë përzgjedhjes së dekanëve të 14 fakulteteve të UP-së.

Pas përzgjedhjes së dekanëve do të bëhet edhe zgjedhja e rektorit të UP-së më 29 korrik. Më 1 tetor 2020 parashihet që të fillojë zyrtarisht ushtrimi i mandateve për strukturat e mandatuara nga zgjedhjet e UP-së.

 

Përfundon votimi për zgjedhjen e këshillave të fakulteteve dhe anëtarëve të Senatit të UP-së

.