
Publikohen rezultatet e Audicionit për aktorë në Teatrin Kombëtar
Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka publikuar rezultatet finale të Audicionit për pranimin e aktorëve në Teatrin Kombëtar të Kosovës.
Sipas MKRS, 4 aktorët që kanë grumbulluar më së shumti pikë gjatë Audicionit dhe që fitojnë të drejtën për të qenë pjesë e TKK-së, janë: Edlir Gashi me 96.4, Qëndresë Jashari me 95.8 pikë, Valmir Krasniqi me 94.6 pikë dhe Donikë Ahmeti me 92.8 pikë.
Juria (Komisioni vlerësues), që ka bërë vlerësimin e kandidatëve, ishte në përbërje të: Kushtrim Mehmetit – udhëheqës artistik i TKK-së, Ismet Ramadani – aktor dhe drejtor i Teatrit Shqiptar në Shkup, Kushtrim Bekteshi – regjisori e profesori i Universitetit të Tetovës, Alessandro Argnani – aktor italian dhe drejtor i Teatrit të Ravenas, si dhe Serena Abrami – këngëtare italiane, e cila si ndihmëse të saj, pati basistin Enrico Vitali.
Kandidatët e pakënaqur – sipas njoftimit – kanë afat prej 3 (tre) ditësh për ankesë, në Komisionin e Ankesave, në MKRS.
Audicioni për pranimin e aktorëve në TKK është mbajtur të premten dhe të shtunën, më 13 dhe 14 dhjetor 2024.
Në Konkursin e shpallur më 21.10.2024 për aktorë në TKK kanë garuar 31 kandidatë.