Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Publikohen planet për menaxhimin e Kalasë dhe Qendrës Historike në Prizren

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka publikuar sot planin për menaxhimin e Kalasë së Prizrenit 2020-2025 dhe planin për  menaxhimit e Qendrës Historike të Prizrenit 2021-2030.

Përmes një njoftimi, MKRS ka bërë të ditur se hartimi i planeve të menaxhimit dhe caktimi i njësive menaxhuese për asetet e trashëgimisë kulturore është prioritet i MKRS-së i përcaktuar me Strategjinë Kombëtare për Trashëgimi Kulturore 2017-2027 dhe Planifikimin Strategjik Operacional.

Hartimi i këtyre dy planeve për menaxhimin e asteteve të rëndësishme të trashëgimisë kulturore në Prizren është financuar nga MKRS-ja.

Planet menaxhuese për Kalanë dhe Qendrën Historike të Prizrenit, sipas njoftimit janë hartuar nga ekspertë dhe organizata të fushës në bashkëpunim me institucionet e trashëgimisë kulturore.

“Element shumë i rëndësishëm i procesit të përpilimit të këtyre planeve është gjithë përfshirja gjatë tërë procesit. Në kuadër të këtij procesi, përmes formave të ndryshme të komunikimit (takime joformale, takime zyrtare, takime konsultative me grupe të ndryshme institucionale dhe ato të shoqërisë, punëtori e prezantime publike) janë konsultuar palët e interesit me të drejtat, detyrimet dhe interes në fushat e mbrojtjes, ruajtjes, promovimit dhe shfrytëzimin socio-ekonomik të këtyre aseteve të trashëgimisë kulturore”, thuhet në njoftimin e MKRS-së.

Po ashtu, këto plane përcaktojnë kornizë për bashkëpunim në mes të gjitha institucioneve, grupeve dhe individëve që marrin pjesë në menaxhimin e këtyre aseteve të trashëgimisë kulturore.

Pas publikimit, thuhet më tej në njoftim, ministria do të sigurohet që të fillojnë hapat përkatës për zbatimin e prioriteteve dhe nevojave të identifikuara në këto plane.

 

Prizreni
Kalaja e Prizrenit
FOTO: Deniz Sllovinja