Publikohen mesazhe të brendshme të misioneve të huaja për sulme terroriste në Kosovë, Policia fillon trajtimin e informatës

Policia e Kosovës ka filluar të trajtojë informatën se në disa qendra tregtare në Kosovë mund të ketë sulme terroriste.

Këto informata pretendohet të kenë dalë në publik, pas publikimit të disa mesazheve të brendshme të misioneve të huaja që veprojnë në Kosovë.

Në një mesazh që posedon KALLXO.com, këshillohet stafi i brendshëm i OSBE-së që të mos frekuentojë disa qendra tregtare në mes të datave 26-30 nëntor.

Zyra për informim e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Kosovës ka konfirmuar për KALLXO.com se kanë filluar me trajtimin e një informate të tillë, siç bën zakonisht me të gjitha informatat që i pranon ky institucion.

“Policia e Kosovës është institucion i zbatimit të ligjit dhe konform autorizimeve ligjore që ka trajton çdo informacion apo çështje e cila ndërlidhet me fushëveprimin policorë. Varësisht nga natyra e informacionit dhe rezultimit të të gjeturave, ndërmerr veprimet e saja operacionale në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë, në interes të ruajtjes së rendit dhe sigurisë publike në vend”, thuhet në përgjigjen e Policisë.

Ambasada Amerikane në Kosovë ka publikuar njoftim për shtetasit e saj, siç bën zakonisht në faqen travel.state.gov.

Të dhënat e publikuara për Kosovë, të publikuara me datën 22 nëntor, përmbajnë ndalesat e mundshme për virusin COVID-19, por edhe kujdesin ndaj sulmeve terroriste.