Publikohen data e mbajtjes së festivalit që u dedikohet personave me aftësi të kufizuara

Edicioni i 3-të i festivalit të filmit  “Art Without Limit International Film Festival” do mbahet nga data 1 deri më 3 dhjetor 2022 në Kino Armata në Prishtinë.

Organizatorët e këtij festivali kanë bërë të ditur se këtë edicion do të shfaqen 50 filma dedikuar personave me aftësi të kufizuara, ku përmes filmave shpalosen ngjarje dhe histori inspiruese duke përçuar mesazhe pozitive.

“Në këtë edicion kanë aplikuar mbi 1000 filma, selektorët tanë kanë përzgjedhur 50 filma të shkurtër; dokumentar, artisik, dhe animacion, të gjithë filma që kanë për temë aftësinë e kufizuar, të cilët do të shfaqen për tre ditë radhazi në Kino Armata në Prishtinë!”- thuhet në njoftim.

Përveç shfaqjes së filmave, gjatë këtij festivali do të ketë edhe performanca muzikore, diskutime dhe konferenca. Ndërsa, për më të mirët do të ndahen edhe çmime.

Viti 2022 është shpallur vit i personave me aftësisë së kufizuara nga Qeveria e Republikës së Kosovës.