Publikimi i borxhlinjve të KRU ‘Prishtina’, Agjencia për Privatësi merr vendim pas raportimit të KALLXO.com

Agjencia për Informim dhe Privatësi ka marrë vendim që të ia ndalojë ujësjellësit KRU “Prishtina” zbulimin e identitetit të konsumatorëve te mediat.

Ky vendim vjen pas raportimit të KALLXO.com se një medium i caktuar kishte publikuar fytyrat e konsumatorëve gjatë një aksioni të kompanisë ndaj borxhlinjve zhvilluar në lagjen Veternik në kryeqytet.

Me vendimin e datës 13.08.2024, Ujësjellësi KRU “Prishtina” është obliguar që përpunimin e të dhënave personale të bëjë në harmoni me Ligjin për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, ndërkohë që në rastin konkret është vlerësuar se ka vepruar në kundërshtim me këtë ligj.

“Në bazë të administrimit të dëshmive të bashkëlidhur nga njoftimi, por edhe pas zhvillimit të procedurës së inspektimit, vërehet se KRU “Prishtina” me rastin e thirrjes së mediave dhe dërgimin e tyre në adresë të saktë të konsumatorëve, ka përpunuar të dhënat personale të subjekteve të të dhënave në kundërshtim me dispozitat e LMDhP-së” – thuhet në arsyetimin e vendimit të KRU “Prishtinës”.

Sipas vlerësimit të Agjencisë, mbledhja e borxheve të konsumatorëve që janë në vonesa ka mundur të bëhet në mënyra të tjera sipas legjislacionit në fuqi.

“Në një shtet demokratik, në të cilën legjislacioni vendor ka rregulluar edhe mënyrën e mbledhjes së borxheve, publikimi në media të identitetit të subjekteve të të dhënave (konsumatorëve) nuk duhet të përdoret si masë për ndëshkimin e tyre për pagesat ndaj kontrolluesit” – thuhet më tej në arsyetim.

Në fund të vendimit thuhet se Agjencia ka konstatuar se KRU “Prishtina”, me rastin e thirrjes së mediave dhe dërgimin e tyre në adresat e konsumatorëve, përmes zbulimit të identitetit të tyre, ka përpunuar të dhëna personale në kundërshtim Ligjin për Mbrojtjen e të Dhënave Personale. Objektivi bazë i këtij ligji, precizohet në vendim, është mbrojtja e të drejtave dhe lirive themelore të personave fizikë, e në veçanti të drejtën e mbrojtjes së të dhënave personale.

Të kontaktuar nga KALLXO.com, KRU “Prishtina” ka konfirmuar se e kanë pranuar vendimin.

“KRU Prishtina, më datë 13.08.2024, ka pranuar Vendimin nga Agjencia për Informim dhe Privatësi. KRU Prishtina në vazhdimësi i ka zhvilluar aktivitet e tyre të parapara pa e rrezikuar privatësinë e asnjë konsumatori dhe po ashtu duke zbatuar të gjitha udhëzimet nga Agjencia për Informim dhe Privatësi” – thuhet në përgjigjen me shkrim të KRU Prishtina të datës 23.08.2024.

Më 19.06.2024, një medium në Kosovë publikoi një video ku shiheshin ekipe të shkyçjes dhe inspektorë të ujësjellësit KRU “Prishtina” duke kryer një aksion ndaj borxhlinjve në Veternik të Prishtinës.

KALLXO.com evidentoi se në materialin e publikuar online kishte sekuenca të xhiruara ku shfaqeshin fytyrat e qytetarëve, përkatësisht konsumatorëve të KRU Prishtinës, në hapësirën e tyre private.

Më 27.06.2024 AIP i pati konfirmuar Kallxo.com se ka nisur procedurën e inspektimit lidhur me shkeljet e mundshme të privatësisë gjatë një aksioni të “KRU Prishtina” ndaj borxhlinjve në kryeqytet.

Më 01.07.2024 përmes një përgjigje zyrtare, nga KRU “Prishtina” ishin deklaru s’e nuk e marrin përgjegjësinë nëse mediat ua shfaqin fytyrat borxhlinjve të saj

“Ne si kompani sipas rregulloreve kemi të drejtë në qasje të pronës (ujëmatësit) për verifikim, shkyçje apo testim. Ndërsa ekspozimin e fytyrave nuk e kemi bërë ne si KRU Prishtina, por nga mediat të cilat punën e tyre e bëjnë sipas ligjeve dhe rregulloreve në fuqi” – thuhej ndër të tjera në përgjigjen e KRU “Prishtina” për Kallxo.com

Pala e pakënaqur me vendimin në fjalë të Agjencisë për Informim dhe Privatësi mund të iniciojë konflikt  administrativ në Gjykatën e Prishtinë, Departamenti për Çështje Administrative,  brenda afatit prej 30 ditësh. Inicimi i konfliktit administrativ nuk e ndalon ekzekutimin e këtij  vendimi.