Publikimi i artikullit të “Slobodna Bosna” në RTK, reagon OSBE-ja

Misioni i OSBE-së në Kosovë ka reaguar lidhur me çështjen e publikimit të një artikulli në RTK, i cili flet për një hulumtim nga media boshnjake “Slobodna Bosna”, ku përmenden dy media të Kosovës, “Periskopi” dhe “Nacionale”.

OSBE ka mirëpritur vendimin e bordit të RTK-së për të formuar një komision profesional për ta sqaruar situatën në detaje dhe për ta ndriçuar përgjegjësinë editoriale

Sipas OSBE-së, liria e medias dhe integriteti gazetaresk janë gur themeli i një shoqërie demokratike.

Ndërsa u ka bërë thirrje zyrtarëve publikë të mbështesin mediat.

“Liria e medias dhe integriteti gazetaresk janë gur themeli i një shoqërie demokratike. Ne lavdërojmë Bordin e Radio Televizionit të Kosovës për vendimin e tyre të shpejtë për të shqyrtuar një raport të fundit të publikuar më 22 korrik, për të adresuar shqetësimet e mundshme dhe duke sqaruar përgjegjësinë editoriale. Ne u bëjmë thirrje zyrtarëve publikë që të mbështesin mediat në mbajtjen e publikut të informuar dhe për t’i mbajtur institucionet përgjegjëse. Ruajtja e një dialogu të qetë dhe konstruktiv është thelbësor”- thuhet në reagimin e OSBE-së në “X”.

 

Më 23.07.2024, pas një mbledhjeje të jashtëzakonshme, që ka zgjatur rreth tri orë e gjysmë, pas publikimit në televizionin publik të Kosovës të një lajmi të një mediumi boshnjak në të cilin etiketohen dy portale kosovare, bordi i RTK-së ka lëshuar një komunikatë, në të cilën tregon se për çfarë është diskutuar dhe çfarë është vendosur.

Sipas komunikatës, u.d. drejtoresha e përgjithshme e RTK-së ka informuar bordin që do të formojë një komision profesional për ta sqaruar situatën në detaje dhe për ta ndriçuar përgjegjësinë editoriale për këtë lëshim dhe do të marrë masa rigoroze konform ligjit dhe akteve të brendshme të RTK-së.

Bordi ka shprehur keqardhje për publikimin e një artikulli ku janë apostrofuar mediat e Kosovës në mediumin boshnjak, “ndonëse RTK në asnjë raportim nuk i ka përmendura ato”.

Bordi i RTK-së vendos të formojë komision për ta “ndriçuar përgjegjësinë editoriale” pas publikimit të artikullit të “Slobodna Bosna”