Foto: KALLXO.com

PSRK kërkesë Gjykatës për të urdhëruar Albin Kurtin të paraqitet për të dëshmuar në Prokurori

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka dorëzuar në Gjykatë kërkesën që kryeministri i vendit, Albin Kurti, të paraqitet në PSRK për të dhënë dëshminë në cilësinë e dëshmitarit lidhur me rastin e rezervave shtetërore.

KALLXO.com mëson se kërkesa për urdhërimin e dëshmitarit të paraqitet në Prokurori për dhënie të dëshmisë është dorëzuar javën e kaluar.

Nëse Gjykata e aprovon këtë kërkesë të PSRK-së, dëshmitari Albin Kurti duhet të paraqitet vullnetarisht për dhënie të dëshmisë.

Në të kundërtën, sipas ligjit, atij i shqiptohet gjobë e pas kësaj kryeministri edhe mund të paraburgoset.

Me t’u lëshuar ky urdhër, Kurti duhet të paraqitet vullnetarisht në objektet e PSRK-së, por nëse nuk vepron ashtu siç kërkohet, urdhri i Gjykatës i dorëzohet edhe Policisë, e cila më pas duhet ta ekzekutojë urdhrin për ta sjellë atë për të dhënë dëshminë.

KALLXO.com mëson se në rast se vendoset nga Gjykata për këtë kërkesë, veprimet procedurale do të fillojnë të merren në javën e parë të marsit.

“Kërkesa është dorëzuar javën e kaluar, është dorëzuar si kërkesë Gjykata ish dashtë me lëshu brenda këtyre ditëve. Kërkesa për urdhërimin e dëshmitarit që të paraqitet në prokurori. Nëse nuk paraqitet është mundësia me i shqiptu gjobë e mbas gjobës edhe me u paraburgosë. Albin Kurti duhet me ardhë vetë. Nëse nuk zbaton vendimin e Gjykatës, ai urdhër i ekspedohet edhe Policisë, atëherë Policia e merr dhe e ekzekuton vendimin” – kanë thënë burime të KALLXO.com.

Kryeministri i vendit është ftuar si dëshmitar nga Prokuroria që të japë versionin e tij lidhur me rastin e rezervave shtetërore për të cilin të dyshuar janë afaristi Ridvan Muharremi dhe zyrtarët e Ministrisë se Tregtisë dhe Industrisë, Irfan Lipovica dhe Hafiz Gara.

Për këtë rast e dyshuar nga Prokuroria është edhe e para e kësaj ministrie, Rozeta Hajdari, e cila ishte intervistuar në Prokurori në cilësinë e të dyshuarës.

Deri më tani Prokuroria kishte ftuar tri herë me radhë kryeministrin Albin Kurti, por ai asnjërës ftesë nuk i është përgjigjur pozitivisht.

KALLXO.com kishte raportuar kur i ishte bërë thirrja e tretë Kurtit rreth një javë para Vitit të Ri.

Burimet e KALLXO.com kishin konfirmuar se meqenëse tri herë nuk kanë marrë përgjigje pozitive nga dëshmitari, në këtë rast kryeministri Albin Kurti, prokurorët pritet që të procedojnë tutje – duke bërë kërkesë te gjyqtari i procedurës paraprake që i njëjti të sillet me detyrim për të dhënë dëshminë e tij.

KALLXO.COM kishte raportuar se ishte planifikuar që procedimi për dhënien e dëshmisë së kryeministrit Kurti të bëhet pasi të mbahen zgjedhjet parlamentare më 09.02.2025, me arsyen që të eliminohen pretendimet se veprimet po merren për qëllime politike.

KALLXO.com kishte raportuar më 20.12.2024 se Prokuroria Speciale kishte dërguar një ftesë të dytë në adresë të kryeministrit Albin Kurti për intervistim në cilësinë e dëshmitarit në rastin e rezervave shtetërore, por kryeministri ka ritheksuar gatishmërinë që prokurorët t’i presë në zyrën e tij.

Burime brenda Prokurorisë Speciale kishin thënë për KALLXO.com se nuk e zbatojnë formën e kërkuar nga kryeministri për intervistim, pasi veprimet e tyre ndërmerren në objekt të Prokurorisë.

Sipas burimeve të KALLXO.com, Prokuroria Speciale do përsëriste thirrjen për herë të tretë, të fundit, dhe nëse kryeministri nuk i përgjigjet, do të kërkojë nga Gjykata një urdhër për ta sjellë atë me forcë në Prokurori.

Kryeministri Albin Kurti, në një intervistë në emisionin “Rrjedha” me Rron Gjinovcin dhe Shkëlzen Gashin, të transmetuar në KTV, më 29.12.2024, akuzoi kryeprokurorin e Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj si “regjisor i kësaj situate”.

Kurti deklaroi se nuk do t’i përgjigjet pozitivisht ftesës së Prokurorisë.

“Prokurorët kanë ardhur në Kryeministri edhe më herët. Unë guxoj t’ju them ‘S’po vij’, të shohim tash a guxojnë ata të vijnë” – tha Kurti.

Ai tutje kishte thënë se: “Pikërisht ky prokurori (Blerim) Isufaj, ky është regjisori i një pamjeje kur unë hyj në Prokurorinë e Shtetit dhe prodhohet një lajm ndërkombëtar që Kryeministri hyn në Prokurori të intervistohet për një rast të korrupsionit. Aty nuk thuhet që si dëshmitar. Ky është qëllimi.”

Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj, në konferencën e fundvitit për media, më 30.12.2024, ishte përgjigjur edhe në lidhje me deklarimin e kryeministrit Albin Kurti se ftesa për të dëshmuar i ishte dërguar nga Prokuroria me qëllim që të bëhej lajm ndërkombëtar.

“Unë s’kam asgjë me askënd dhe, me thënë të vërtetën, as nuk e kam shiku çfarë ka thënë” – ishte shprehur Isufaj.

Më 20.12.2024, zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, i ka thënë KALLXO.com se ia kanë ritheksuar Prokurorisë Speciale gatishmërinë e kryeministrit që t’i mirëpresë prokurorët në zyrën e tij për intervistim – duke i propozuar tri orare intervistimi, pas pranimit të thirrjes së dytë.

Kryeministri Kurti është thirrur për t’u intervistuar nga Prokuroria si dëshmitar në lëndën “PPS.nr.62/2023”, në një rast që ka të bëjë me veprën penale “keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”. Numri i lëndës që gjendet në thirrjen dërguar kryeministrit të publikuar nga Kryeziu – përputhet me atë të rastit të rezervave shtetërore.

Më 11.12.2024 ishte bërë e ditur që kryeministri Kurti ishte ftuar për të dëshmuar, më 16.12.2024, nga Prokuroria Speciale.

Ndonëse ftesa e Prokurorisë Speciale ka qenë që kryeministri Albin Kurti të paraqitet për intervistim si dëshmitar më 16.12.2024, në ora 09:30, një gjë e tillë nuk kishte ndodhur.

Zëdhënësja e Prokurorisë, Liridona Kozmaqi, në një deklarim para mediave kishte thënë se është informuar nga kabineti i Kurtit se kryeministri gjendet në udhëtim jashtë vendit.

“Sot nga kabineti i kryeministrit Kurti, Prokuroria Speciale është informuar se kryeministri Kurti gjendet në udhëtim jashtë vendit dhe e ka të pamundur të paraqitet sot. Prokuroria Speciale, konform legjislacionit në fuqi, do ta përgatisë një ftesë tjetër për kryeministrin Kurti për një datë tjetër” – kishte thënë Kozmaqi.

Rasti i rezervave shtetërore

Të pandehur për rastin e rezervave shtetërore janë: Irfan Lipovica, Hafiz Gara e Ridvan Muharremi.

Lipovica e Gara dyshohen për veprën penale – keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar, ndërsa Ridvan Muharremi për veprën penale – dhënia e ndihmës në kryerje të veprës penale të keqpërdorimit të detyrës apo autoritetit zyrtar.

Dy zyrtarë të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Irfan Lipovica e Hafiz Gara, bashkë me afaristin Ridvan Muharremi, ishin arrestuar më 18.08.2023 nën dyshimin për veprat – keqpërdorim i detyrës zyrtare, dhe – dhënie të ndihmës në kryerjen e veprës penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare.

Ridvan Muharremi, Irfan Lipovica e Hafiz Gara ishin liruar nga masa e paraburgimit me vendimin e Apelit më 31.08.2023, pasi të njëjtit gjendeshin nën këtë masë nga 19.08.2023.

Si e dyshuar lidhur me keqpërdorimet e rezervave shtetërore është intervistuar edhe ministrja aktuale e Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, Rozeta Hajdari, më 15.04.2024.