Psikologët e ri, shkollat e Vushtrrisë synojnë ti adresojnë problemet e sigurisë

Për ti adresuar problemet me dhunën por edhe problemet e tjera të natyrës sociale tek nxënësit komuna e Vushtrrisë planifikon që gjatë vitit 2023 të shtoj numrin e psikologëve në shkolla. 

Në kuadër të reformës e cila tenton të realizoj investime për parandalimin e dhunës dhe shtimin e sigurisë publike komuna ka paraparë edhe shtimin e ndriqimit dhe kamerave të sigurisë. 

23 milionë euro është buxheti i komunës së Vushtrrisë për vitin 2023, prej tyre 7 milionë e 300 mijë euro janë për investimet kapitale, kurse pjesa tjetër është për paga, mëditje, mallra, shërbime dhe subvencione.

Në këtë shifër prej 7 milionë euro, kryetari i Vushtrrisë, Ferit Idrizi, thotë se janë ndarë mjete të nevojshme, sipas tij, për siguri publike, kamera të sigurisë dhe për ndriqimin publik.

Pak më shumë se një vjet prej që është në pozitën e të parit të Vushtrrisë, Idrizi thotë se ndriqimin publik në qytetin e tij e kanë ‘shumë të kënaqshëm’.

“Ndriqimin publik e kemi është mundem me thonë shumë të kënaqshëm, me përjashtim të disa rrugicave në fshatra, por edhe për këtë e kemi marrë një vendim nga Qeveria e Kosovës, që ka kërku që në çdo të treten shtyllë me pasë ndriqim, jo në çdo shtyllë qysh e kemi pasë. Kjo për shkak të masave që janë marrë për kursimin e energjisë elektrike, për shkak të krizës energjetike” – ka thënë Idrizi për KALLXO.com.

Një tjetër problem për sigurinë publike të komunave, jo vetëm të Vushtrrisë, janë edhe qentë endacakë.

Në lidhje me këtë problematikë, Idrizi ka thënë se është ndarë buxhet dhe është një marrëveshje me një donator, për trajtimin e qenve endacakë nëpër komunë.

“Sa i përket qenve endacakë, kjo ka me qenë një sfidë jo vetëm për komunën e Vushtrrisë por për të gjitha komunat, edhe pse ne kemi nda buxhet dhe kemi marrëveshje bashkëpunimi me nje donator, që përmes një kompanie janë duke bërë kastrimin, identifikimin e qenve”

“Jemi duke punuar vazhdimisht në atë pjesë të qytetit ku lajmërohet që ka rrezik prej qenve që janë më agresivë dhe menjëherë vjen veterinari e merr qenin edhe e kastron” – bën të ditur Idrizi.

Ai ka thënë se ka kontaktuar me kryetarin e Obiliqit, Xhafer Gashin dhe atë të Mitrovicës, Bedri Hamzën, për të trajtuar problematikën me qentë endacakë, ndërsa paralajmëron ndërtimin e një strehimore për qentë.

“Në këtë drejtim, unë i kam kontaktuar dy kryetarët e komunave, të Obiliqit dhe Mitrovicës dhe ata kanë shprehur gatishmëri që në kuadër të këtyre tre komunave me pas një bashkëpunim. Jam duke kërkuar me gjetë edhe një donator por edhe një kompani, që me e bo një strehimore të qenve, ku i kishim përfshi të paktën këto tre komuna”- thotë ai.

Një tjetër problem i theksuar në komunën e Vushtrrisë, është edhe mungesa e psikologëve nëpër shkolla, ata që do duhej të identifikonin nxënësit me sjellje radikale nëpër shkollat e komunës.

Komuna e Vushtrrisë aktualisht ka psikolog vetëm në tri shkolla të mesme. Në gjimnazin ‘Eqrem Çabej’, në shkollën profesionale ‘Bahri Haxha’ dhe në shkollën teknike ‘Lutfi Musiqi’.

Kryetari Ferit Idrizi thotë se shumë shpejt do të publikohet shpallka edhe për psikolog tjerë nëpër shkollat fillore dhe të mesme të ulët. Por që, edhe këta pesë që angazhohen, sipas Idrizit, nuk e plotësojnë nevojën për psikolog nëpër shkollat e komunës.

I pari i Vushtrrisë thotë se nëpër shkollat e qytetit është koncentruar numri i nxënësve më shumë se sa në shkollat nëpër fshatra.

“..duam të fillojmë njëherë me shkollat e qytetit, sepse është koncentru shumë numri i nxënësve, përderisa nëpër fshatra kemi numër më të vogël të nxënësve. Pra do të fillojmë njëherë me shkolla të qytetit ku numri është shumë i madh, e më vonë gradualisht edhe nëpër shkolla të fshatrave”

“Tash, këtu duhet me na ndihmu edhe ministria, për shkak se është një konflikti i ligjeve. Në njërën anë arsimi fillor dhe i mesëm i ulët është i obliguar, edhe me ligj edhe me Kushtetutë. Në anën tjetër, kanë vendosur kritere domethënë për numrin e nxënësve në paralele, e çka po du me thonë, është se shumica e shkollave të fshatrave nuk e plotësojnë këtë numrin e nxënësve në paralele dhe sipas kësaj formule ato duhet me u mbyllë krejt” – ka thënë Idrizi për KALLXO.com.

Për pak më shumë se një vit prej që është në krye të Vushtrrisë, Ferit Idrizi thotë se në komunën e tij deri më tash nuk ka pasur asnjë rast që ndërlidhet me terrorizmin, radikalizmin apo ekstremizmin.

Ai thotë se për këtë temë në komunë egziston Këshilli Komunal për Siguri në Bashkësi, që mban takime të rregullta.

“Në atë Këshilll që udhëheqë kryetari i komunës, merr pjesë komandanti i policisë, përfaqësuesit e bashkësive fetare, përfaqësues të komunitetit dhe e trajtojmë. E kemi hartu dhe miratu planin për siguri në bashkësi, kemi targetu temat të cilat duhet të fokusohemi gjatë vitit 2023, domethënë që kemi mendu që mund të përbëjë njëfar destabilizimi të them kështu, ne e kemi fut në agjendë për me e trajtu” – thotë Idrizi.

Për vitin 2023, Komuna e Vushtrrisë sa i përket sigurisë publike, ka planifikuar që të shpenzojë 10 mijë euro për ‘Blerjen dhe montimin e sistemit të alarmit në qytet’, si dhe 60 mijë euro për ‘Sinjalizimin ndriçues me monitor digjital informues në katër hyrjet e qytetit’.

Tutje, Idrizi ka thënë se gjatë vitit 2022  Komuna e tij nuk ka organizuar asnjë aktivitet, që ndërlidhet me temën e ekstremizmit, radikalizmit dhe terrorizmit, por që thotë se kanë mbështetur aktivitetet të fushave të ndryshme,

“Të them të drejtën, aktivitetet që i kanë organizuar OJQ-të i kemi mbështetur krejt, nuk mundem specifikisht sepse aq shumë ka aktivitete të fushave të ndryshme, por si komunë na nuk kemi organizu, sepse të gjitha këto i kemi në kuadër të institucionit që është KKSB” – ka thënë Idrizi.

Në vitin 2022, Komuna e Vushtrrisë ka nënshkruar kontratë për mirëmbajtjen e ndriqimit publik; si dhe një kontratë tjetër për ‘Zgjerimin e rrjetit të ndriqimit publik në Vushtrri, Doberllukë, Maxhunaj dhe Stanofc’.