Pse u përzgjodh Prishtina për festivalin e artit "Manifesta"?

Këtë verë në Prishtinë do të mbahet festivali i artit “Manifesta”, i cili do të zgjasë nga muaji korrik deri në nëntor.

Në “Manifesta” artistë të njohur botërorë si dhe vendorë do të ekspozojnë artin e tyre.

Në emisionin “Kallxo Përnime” po diskutohet se si erdhi tek ideja dhe iniciativa për ta sjellë këtë bienale në kryeqytetin kosovar.

Vesa Sahatçiu pjesë e “Manifestës” tha se ka vite që kanë qenë duke punuar në këtë ide duke u shprehur e lumtur që Prishtina është zgjedhur nikoqire e festivalit.

Ajo theksoi se tema që ata kanë propozuar ka të bëjë me uzurpimin e pronave publike në Prishtinë.

“Në vitin 2018 unë nuk kam qenë fare në Kosovë por më ka thirrë Yll Rugova dhe më ka thënë se ka nevojë për mua për me e bo një projekt. Kemi fillu me punu në projekt propozimin për ‘Manifestën’. Kemi debatu shumë për çështjen e temës, e kemi pasë të qartë që Kosova nuk mund të ofrojë infrastrukturën e nevojshme dhe që lëngon nga problemet politike. Në bisedë me Yllin dhe Teutën kemi vendosur që tema e gllabërimit të hapësirë publike, privatizimi të egër, ideja që ne më nuk kemi hapësira referuese në kryeqytet të jetë tema e projekt-propozimit. Kjo ka qenë nisma. Kemi dashur që ta trajtojmë hapësirën si mundësi për të tjerët për të parë shtresat e Kosovës ndër shekuj”, tha ajo.

Ndërkaq, Teuta Hoxhaj Jahaj, tha se “Manifesta” ka qenë momentumi më i mirë për të larguar stereotipet që Kosova është vetëm hapësirë e shkatërruar nga lufta.

“’Manifesta’ ka qenë momentumi më i mirë për të larguar stereotipet që Kosova është hapësirë e shkatërruar nga lufta. Ne kur kemi apliku dhe kemi pasë vizitat e para nuk jemi mundu me paraqitë një pamje që nuk ekziston e kemi tregu Prishtinën qysh është. Fatmirësia jonë është që dikush frymëzohet ka kaosi. Është një lloj utopie se si një vend si Kosova ka rininë aq pozitive”, tha ajo.