Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Pse u përfshinë dy punonjës të AKI-së si dëshmitarë anonimë në rastin "Syri i Popullit"?

Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, ka thënë se nëse agjentët e Agjencisë Kosovare të Inteligjencës kanë dëshmuar me identitet të ndërruar në rastin “Syri i Popullit” me vendim të drejtorit, mund të ketë qenë e ligjshme.

Ai në emisionin “Kallxo Përnime” tha se nuk e di nëse prokurori i rastit ka qenë në dijeni për këtë, por kjo mund të jetë bërë për mbrojtje të personave që punojnë në shërbimin informativ.

“Unë nuk di nëse prokurori i rastit që e ka hetuar këtë rast e ka ditur që AKI-ja ka ndërruar identitetin e dëshmitarëve. Nëse e ka ditur dhe nëse kjo është bërë për të mbrojtur konfidencialitetin dhe për mbrojtjen e personave që punonjnë në shërbimin informativ të Kosovës me vendim të drejtorit, unë mendoj që është e ligjshme”, ka thënë Lumezi.

Ai shtoi se ky rast është shqyrtuar në gjykatë, në shkallë të parë, dhe nëse kjo ka qenë e kundërligjshme mund të kete bazë për procedurë penale.

“Unë besoj që gjykatësit i kanë treguar por, edhe ky rast është në shqyrtim në gjykatë, në shkallë të parë, duhet të presim vendimin dhe nëse thotë se kjo ka qenë e kundërligjshme atëherë krijohet bazë për procedura penale ndaj dikujt”, shtoi tutje Lumezi.