
Ndërprerja e punimeve në sheshin "Xhorxh Bush" në Prishtinë - Foto: Arton Hamiti | KALLXO.com | 12.03.2025
Pse u ndalën punimet për sheshin "Xhorxh Bush"?
Inspektorati i Trashëgimisë Kulturore i ka ndalur punimet që nisën të hënën, më 10.03.2025, për ndërtimin e sheshit “Xhorxh Bush”, në kryeqytet.
Më 12.03:2025 pllakatës së projektit i është vendosur shenja që tregon ndalimin e punimeve.
Përurimi i fillimit të punimeve për ndërtimin e sheshit “Xhorxh Bush” u bë me 10.03.2025, ku i pranishëm ishte edhe kryetari i Prishtinës, Përparim Rama.
Kontrata për këtë projekt u nënshkrua në janar të vitit 2025 me një grup operatorësh dhe vlera e saj është 18.1 milionë euro.
Punimet në kuadër të këtij projekti ishin paraparë të zhvilloheshin midis hotelit “Grand Hotel”, Rektoratit të Universitetit të Prishtinës, ndërtesës së Radio Kosovës dhe Katedrales “Nënë Tereza”.
Në Listën e Trashëgimisë Kulturore për Mbrojtje të Përkohshme e që preken nga ndërtimi i këtij sheshi, janë hoteli “Grand Hotel”, ndërtesa e ish-Radio Prishtinës, Rektorati i Universitetit dhe Biblioteka Kombëtare.
Ndërkaq, Ligji për Trashëgiminë Kulturore përcakton se për çdo intervenim në pronat e trashëgimisë kulturore apo afër tyre nevojitet pëlqim ose leje nga institucioni kompetent.
Në lidhje me ndalimin e punimeve, KALLXO.com ka provuar të marrë qëndrim nga Komuna e Prishtinës por deri në publikimin e storjes nuk ka kthyer përgjigje.
Kurse përmes një postimi ne rrjete sociale, drejtoresha për Arsim në Komunën e Prishtinës Jehona Lushaku Sadriu, për ndalimin e punimeve e ka fajësuar ministrin e Kulturës, Hajrulla Çekun.
Krijimi i një Sheshi te Katedralja ka qenë pjesë e programit qeverisës të Përparim Ramës, i cili ka deklaruar disa herë se kjo zgjatje është vetëm pjesa e parë, pasi plani është që sheshi të zgjatet në fazën e dytë deri te “Posta e Madhe”, që më pas lidhet edhe me xhaminë në Dardani e cila është në ndërtim, derisa gradualisht të vazhdojë deri te “Rrethi i Flamurit”.
Krijimi i sheshit te Katedralja është përmendur edhe gjatë qeverisjes së ish-kryetarit Shpend Ahmeti – si pjesë e planit të mobilitetit për Prishtinën.
Plani i mobilitetit i punuar nga “Mott MacDonald”, në vitin 2019, është plan 12-vjeçar që përfshin disa reforma në infrastrukturën e qytetit – përfshirë shtigjet e çiklizmit, shtrimin e rrugëve të reja, reformim të transportit publik, përfshirë pritoret etj.