Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Pse u bllokua tenderi i Komunës së Prishtinës për teste serologjike?

Në emisionin “Kallxo Përnime” po transmetohet hulumtimi për tenderët në shëndetësi, të bllokuar në Organin Shqyrtues të Prokurimit (OShP).

Komuna e Prishtinës në maj të vitit 2021 kishte iniciuar tenderin për furnizim emergjent me teste serologjike.

Por, ky tender ka mbetur i bllokuar pasi një kompani ka paraqitur ankesë në OShP nën pretendimin se ka pasur parregullsi në planifikim të tenderit.

Vlera e parashikuar për këtë tender ka qenë 130 mijë euro.

Bekim Murati, pronar i kompanisë ‘Atom-Med’ që ka paraqitur ankesë, në një intervistë për KALLXO.com ka thënë se në dosjen e tenderit të Komunës, disa kritere kanë qenë diskriminuese.

“Autoriteti kontraktues ka vendosur disa kritere, që ne kemi cilësu që janë kritere diskriminuese dhe realisht janë konfirmu nga OShP dhe është bazu e pjesshme kërkesa jonë për ndryshim të këtyre kritereve. Kjo ka qenë arsyeja e ankesës që e kemi bërë në OShP, për t’i hequr dhe për t’iu mundësuar operatorëve të tjerë që të marrin pjesë në tender dhe për me mujtë me furnizu, ku interesi është edhe për autoritetin kontraktues, për të marrë çmime më të mira”, ka thënë Murati.

Dosja ka shkuar tutje në një instancë më të lartë. Ekspertët e OShP-së kanë nxjerrë mendim të ngjashëm, sipas të cilit disa kritere janë të panevojshme. Eksperti ka rekomanduar që të anulohet njoftimi për kontratë dhe lënda të ritenderohet. Dy nga katër pikat të ankesës eksperti i ka cilësuar si të qëndrueshme.

 “Kërkesat që ndërlidhen me pikën 9.4 dhe 9.6 janë të panevojshme dhe si të tilla duhet të largohen nga vlerësimi. Eksperti teknik i propozon panelit shqyrtues që ankesa e Operatorit Ekonomik ankues të aprovohet si pjesërisht e bazuar, të anulohet njoftimi për kontratë dhe lënda të ri-tenderohet nëse Autoriteti Kontraktues ka interes”, thuhet në raportin e ekspertit të OShP-së.

Komuna e Prishtinës që i ka përgatitur këto kritere ka refuzuar të japë sqarime dhe të dalë publikisht dhe të ofrojë të dhëna për rrjedhën e kësaj procedure.

Zyrtarisht, zëdhënësja e Komunës, Arlinda Kastrati, ka thënë se askush nga Departamenti i Prokurimit nuk ka pranuar të flasë për këtë temë.

Furnizimi me teste serologjike ndodhi në një formë tjetër, ndërsa kompanisë e cila u ankua i është bllokuar një shumë e parave.

Ligji i Prokurimit e cakton se kur një kompani bën një ankesë në OShP për një tender të caktuar, detyrohet të lërë kapar 1% të vlerës së parashikuar të tenderit. Nëse vlera e parashikuar është 1 mijë euro, kompania detyrohet të paguajë 10 euro kapar. Nëse i miratohet ankesa si e bazuar, i kthehen paratë, nëse ndodh e kundërta, nuk i kthehen paratë.

Për këtë arsye, Murati thotë se janë dëmtuar. Sepse prej qershorit të 2021 ai ka lënë kapare një shumë të caktuar, që iu kanë bllokuar në OShP.

 “Në moment kur është e pabazuar normalisht nuk na kthehen paratë. Por në momentin që është e bazuar, në mungesë të bordit, asnjë mjet deri tash, atëherë çdo ankesë që e kemi parashtru ne, qoftë e aprovuar qoftë e pa aprovuar, në mungesë të bordit, nuk mund të procesohet kthimi i pagesave. Edhe ne kemi një shumë të madhe të cilat mbahen në OShP. Mund të jetë 15 mijë deri në 20 mijë euro, një vlerë prej kompanisë tonë që ka bërë ankesë”, thotë Murati.

Dosja e Komunës së Prishtinës pret vendimin nga bordi i OShP-së. Ky bord është i bllokuar për momentin pasi Kuvendi për disa herë me radhë ka dështuar t’i zgjedhë anëtarët.