Pse u anulua konkursi i punësimeve në KEK?

Drejtori i Agjencisë Kundër Korrupsionit, Yll Buleshkaj, në emisionin “Kallxo Përnime” ka folur edhe për çështjen e punësimeve familjare për të cilat u raportua gjatë muajit prill.

Ai ka treguar se gjatë hetimeve të tyre janë gjetur shkelje administrative.

“Po, ka pasur shkelje administrative“, ka thënë Buleshkaj duke shtuar se konkludimi i AKK-së është vetë anulimi i konkursit.

Tutje ai ka thënë se në një rast të tillë më e mira do ishte që kryeshefi i KEK-ut të dalë dhe të shpjegojë se pse është anuluar ky konkurs.

“Besoj që për këto më së miri është që kryeshefi i institucionit të dalë dhe të shpjegojë qartë pse është anuluar konkursi. Të gjeturat me siguri kanë qenë substanciale për t’u anuluar ai konkurs. Unë nuk kisha pranu si institucion ta anuloj një konkurs nëse nuk ka diçka në ato të gjetura”, ka thënë drejtuesi i Agjencisë Kundër Korrupsionit.

Buleshkaj tha se lidhur me këto punësime asokohe kishin filluar shqyrtimin për konflikt të interesit, mirëpo pasi kanë pranuar të gjithë dokumentacionin, kanë mbyllur edhe hetimet pasi ishte anuluar konkursi.

Mirëpo, Buleshkaj ka shtuar se në KEK kanë dërguar informata me qëllim që diçka e tillë të mos përsëritet më.

“Kemi dërguar disa informata këshillëdhënëse që në raste tjera të kenë kujdes”, ka thënë ai.

Tutje drejtuesi i AKK-së ka thënë se kanë pasur kontakt me kryeshefin dhe e kanë informuar për gjetjet e AKK-së.

“E di që KEK ka pasur edhe një komision të pavarur të hetimit i cili me gjasë ka gjetur shkelje procedurale i cili pastaj është anuluar në bazë të atij komisioni”, ka thënë ndër të tjera Buleshkaj.

KALLXO.com kishte raportuar se si djali i zyrtarit të Auditimit të Brendshëm në Korporatën Energjetike të Kosovës, Ismet Vrapçanit, është pranuar në konkursin e fundit në KEK.

Nol Vrapqani është punësuar në pozitën manipulues i shiritave transportues. Komisioni për këtë pozitë ka pasur këtë përbërje: Ramadan Budakova, Zymer Morina dhe Fidane Shala.

Ai është renditur i 17-ti nga 50 të përzgjedhurit gjithsej për këtë pozitë.

Në një prononcim për KALLXO.com, Ismet Vrapqani e ka mohuar të ketë pasur gisht në punësimin e djalit të tij.

Madje shton se ai kishte konkurruar edhe herëve të tjera në këtë Korporatë por nuk ishte pranuar.

“Unë e them me përgjegjësi të plotë që kurrfarë ndikimi nuk ka pasur. Edhe djali jem më së paku që dhjetë herë ka apliku në KEK. Gjithmonë ka qenë në listën e ngushtë”, u shpreh shkurt ai.

Në nëntor të vitit 2021, Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) kishte shpallur konkurs për 150 pozita; 45 teknikë të makinerisë, 9 teknikë të elektroteknikës, 4 teknikë të elektroteknikës, 2 zjarrfikës, 9 teknikë të kimisë, 50 manipulues të shiritave transportues, 11 inxhinierë të makinerisë, 2 inxhinierë të makinerisë, 1 inxhinier të elektroenergjietikës, 3 inxhinierë të elektroteknikës, 6 inxhinierë të elektroteknikës, 5 inxhinierë të elektroteknikës, 2 teknologë përgjegjës për përgatitjen kimike të ujit , 1 inxhinier gjeodezisë.

KALLXO.com kishte raportuar se në listën e gjatë të të përzgjedhurve për disa pozita brenda Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) është një familjar i deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Halil Thaçi.

Fatos Thaçi, familjar i Halil Thaçit është punësuar për pozitën “manipulues i shiritave transportues” .

Deputeti Thaçi në një prononcim për KALLXO.com ka pohuar se e ka kushëri, por ka mohuar se ka pasur ndikim në punësimin e tij.

“Nuk është djali i axhës tim, e kam kushëri, shoka [brezi] a tretë e kushërinjve. Ndikimi i deputetit në ndërmarrjet publike, me 14 shkurt 2021 ka përfundu. Nuk ka e as nuk do të ketë deputeti ndikim. Edhe pse unë pata fatin që qëllova i Obiliqit, nuk kam asnjë ndikim as më të vogël. Krejt kjo zhurmë që po bëhet, është për me e mbulu suksesin e Qeverisë Kurti”, u shpreh Thaçi.

Por më 1 prill u publikuan rezultatet e vetëm 128 kandidatëve.

Nga Lëvizja Vetëvendosje kanë reaguar të mërkurën duke mohuar “përfshirjen në punësime partiake”.

Sipas reagimit të LVV-së, asnjë zyrtar i tyre nuk e ka askënd aty [KEK], duke paralajmëruar edhe padi për raportimet që janë bërë duke përmendur emrin e Vetëvendosjes.

“Lëvizja njofton opinionin publik se nuk është e përfshirë në punësime partiake dhe se ka qenë gjithnjë kundër praktikave të punësimit me kriter përkatësinë politike. Asnjë zyrtar i  LV-së nuk e ka askënd aty dhe ato që janë publikuar janë shpifje për të cilat janë bërë ankesat dhe do të bëhen paditë përkatëse ditëve në vijim”, thuhet në reagimin e zëdhënësit të LVV-së, Arlind Manxhuka.

KEK përmes një komunikate për media pati reaguar se po përcjell me seriozitet të gjitha pretendimet publike rreth shkeljeve eventuale gjatë procesit të rekrutimit.

Në reagimin e tyre thuhet se të gjithë ankesat do të shqyrtohen me kujdesin më të madh, duke rishikuar procesin, do të “korrigjohen gabimet e evidentuara”.

“Pavarësisht faktit se KEK ka bërë përpjekje për të respektuar kriteret e shpalljes publike si dhe dispozitat ligjore të Ligjit të Punës në fuqi dhe detyrimeve ligjore të dala nga aktet nënligjore për çështjen e rekrutimit të punëmarrësve, KEK është duke përcjellë me seriozitet të gjitha pretendimet publike rreth shkeljeve eventuale gjatë procesit të rekrutimit”, thuhej në reagimin e KEK-ut para pak ditësh.

“Në këtë drejtim, KEK ju siguron se të gjithë ankesat do të shqyrtohen me kujdesin më të madh, duke rishikuar procesin, do të korrigjohen gabimet e evidentuara si dhe do të merren masa adekuate konform ligjit, kudo që do të ketë pasur shkelje në proces”, vazhdonte njoftimi i KEK-ut.

Më 4 prill 2022, Prokuroria njoftoi se ka iniciuar hetime për këto punësime.

Në anën tjetër, Lidhja Demokratike e Kosovës ka dorëzuar kallëzim penal për 128 vendet e punës në Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK).

Konkursi i KEK-ut, punësohet edhe djali i zyrtarit të auditimit të brendshëm