Haki Haxhiu, Kompania Lirigzoni, Foto: KALLXO.com

Pse Trepça pezulloi tenderin e një kompanie për gurin vullkanik në Kishnicë? - LIVE

Kompania “Lirigzoni” kishte fituar tenderin për shfrytëzimin e gurit vullkanit në Kishnicë, gur ky i cili konsiderohet i rrallë në Kosovë e që i njëjti përdoret për bazë të asfaltit e projekte të ndërtimeve të infrastrukturës.

Tenderi që kishte fituar e njëjta kompani ishte pezulluar nga ana e bordit të Ndërmarrjes “Trepça” ndërsa arsyet e pezullimit nuk janë bërë të ditura për kompaninë që kishte fituar të njëjtin tender.

Në emisionin e sotëm në #KallxoPernime është transmetuar hulumtimi  i cili tregon si tenderi për gurin vullkanik nga viti 2009 deri në vitin 2015 në zonën afër Kishnicës i ishte dhënë në shfrytëzim kompanisë “Bejta Komerc”. Kjo kompani kishte paguar 1 euro e 20 cent për secilin metër kub të gurit që po e shfrytëzonte.

Pas kompanisë “Bejta Komerc” leja për shfrytëzimin e këtij materiali në një proces tenderues kishte kaluar te kompania “Nëntë Vëllezërit”. Në kohën kur ishte ndërruar kompania për shfrytëzim të gurit vullkanik, kishin aplikuar dy kompani, “Nëntë Vëllezërit” me çmim 50 cent dhe “As Trade” me çmim 35 cent.

Të kontaktuar nga ekipi i emisionit, kompania ‘9 Vëllezërit’, nuk kanë dashur të komentojnë lidhur me ngjarjen. Ata kanë thënë se për momentin janë duke shfrytëzuar material të cilin janë duke e nxjerrë nga një pronë private të cilën e kanë me qera.

Hulumtimi zbardh se kontrata e parë me kompaninë “Nëntë Vëllezërit” ishte nënshkruar në vitin 2016, ndërsa e njëjta kishte operuar deri vitin e kaluar me disa aneks kontrata.

Kjo marrëveshje 4 vjeçare ka përfunduar në fillim të këtij viti pasi u hap tender i hapur ku jepej mundësia e aplikimit të më shumë kompanive që dëshirojnë të shfrytëzojnë gurin vullkanik.

Kompania “Lirigzoni” ka aplikuar në këtë tender me një çmim për një kubik guri 1 euro e 47 cent. Pronari i kësaj kompanie, Haki Haxhiu tregoi se tenderi në të cilin kanë aplikuar është pezulluar, ndërsa nuk kanë marrë ndonjë arsyetim pse ka ndodhur një gjë e tillë.

“Në ndërmarrjen Trepça kemi konkuruar për një gurthyes në Kishnicë. Gjatë procedurës së tenderimit kemi dalë më të mirët ku kemi jep çmimin më të lartë prej të gjitha ofertave dhe jemi në pritje të mëtutjeshme”, tregon Haxhiu.

Tutje ai vazhdon të tregoj për ofertat e dhëna në lidhje me shfrytëzimin e gurthyesit në afërsi të Kishnicës.

“Normalisht brenda javës është dashtë me na nënshkru kontratën por nuk e di çfarë procedurash tjera është t`u zhvillu Trepça. Ne kemi ofru për një metër kub 1 euro e 25 cent pa TVSH, me TVSH 1 euro e 41 cent. TVSH kemi me pagu ne. Nuk e di pse nuk e kemi nënshkru kontratën, e kanë ndërru kryeshefin ka ardh një kryeshef tjetër para disa ditësh na kanë njoftu që bordi e ka pezullu këtë kontratë”, tregon tutje ai.

Haxhiu tregon edhe se vetëm çështja e gurthyesit në Kishnicë është ndërprerë e punët e tjera jo.

“Nuk kanë dhënë arsye pse është pezulluar. Kemi kërkuar edhe qasje në dokumente dhe po presim me na dhanë qasje në dokumente”, vazhdon të tregoj Haxhiu deri sa shton edhe se ka kontaktuar edhe me kompaninë e cila më parë kishte në shfrytëzim të njëjtin gurëthyes. Këto janë varet nga kapaciteti i prodhimit. Për shembull për një metër kub zhavorr diku është 5 deri 6 euro fitimi për metër kub. Nëse i prodhon 2 mijë metër kub dihet fitimi krejt varet nga kapaciteti se sa mundesh me prodhu. Guri në Kishnicë përdoret për prodhim të asfaltit betonit, për hekurudha por nuk është që i plotëson të gjitha kriteret për hekurudhë por si kategori e dytë bën”.

“Kompania 9 vëllezërit më kanë thirrë në telefon me u taku me mu, fillimisht s’kam qenë këtu pastaj kur më kanë njoftu i kam thirrë për me u taku nuk janë lajmëru ma. Më ka thanë dikush që janë taku me Trepçën dhe ka përfundu kjo. Edhe kryeshefi tjetër ka dhënë dorëheqje për qeta po janë fjalë të njerëzve”, vazhdon të tregoj Haxhiu.

Rafet Ibishi U. D. i Drejtorit të Ndërmarrjes së Trepçës e ka cilësuar si gabim teknik çështjen e tenderit për gurthyesin në Kishnicë.

“Po, është e vërtetë që nga ana ligjore e ka fituar tenderin apo projektin por gabimi ose faji është te ne sepse edhe borxh edhe menaxhment që kemi shti në garë këtë aset të gurëve. Sepse ne nëpër kolegjiume kemi diskutu që me formu një komision dhe të gjitha objektet dhe me miratim të bordit të gjitha objektet që nuk i shfrytëzojmë me ja kriju mundësinë që nëse dikujt i nevojitet me i dhanë me qira. Bordi na ka aprvou këtë kërkesë”, thotë Ibishi.

Rafet Ibishi, UD i Drejtorit në Trepçë, FOTO: KALLXO.com

Ai tutje tregon edhe për pronat e Trepçës të cilat jepen me qira ndërsa çmimet variojnë nga infrastruktura e objekteve që ka kjo ndërmarrje.

Ibishi shtoi edhe se një gurthyes nuk mund të jepet me qira por vetëm mund të shfrytëzohet.

Ai madje thotë se për rastin ishte njoftuar para se ta marrë pozitën e ushtruesit të detyrës.

“Në kuadër të saj e kanë shti edhe në Kishnicë një gurthyes edhe tash gurthyesin nuk mundesh me dhanë me qira ai jepet në shfrytëzim. Mendoj se ka qenë një gabim teknik i stafit tonë që e kanë procedu atë. Unë në momentin që e kam pranu detyrën e kam ditë rastin e kam bisedu që është bërë një gabim sepse nuk mund të llogaris si dhënie në qira po është shfrytëzim dhe në bazë të çka mundesh me faturu atë? Edhe kryesisht për këtë, po them prapë që gabimi është te ne që e kemi shti në tender. Unë kam kërku nga bordi me më këshillu në këtë lami”, tregon tutje ai.

“Pa marrë parasysh që kam gabuar si Rafet nuk duhet me pësu Trepça. Gabimi është që ne kemi shpall tender sepse nuk mundesh me dhanë atë me qira. Ne nuk është dashtë me qit. Licencën e ka deri në vitin 2030, tash a me dhanë atë pronë na a me uzurpu krejt, ky e ka kontratën ky licencën dhe ta mbajnë peng asnjëri nuk punon a është dëm kjo i Trepçë”, vazhdon Ibishi.