Pse të strehuarit nga tërmeti sulmuan Policët e Kosovës

Tre persona janë arrestuar dhe intervistuar nga policia gjatë ditës së djeshme pasi që të njëjtit kishin kërcënuar stafin e mjekëve të urgjencës si dhe nuk i kanë zbatuar urdhrat e zyrtarëve policor.

E gjithë ngjarja ka ndodhur brenda Kampit Gjerman në Prizren ku janë strehuar mbi 500 persona nga Shqipëria, pas tërmetit tragjik që ndodhi më 26 nëntor.

Burime të KALLXO.com kanë treguar se e gjithë ngjarja kishte nisur kur policia ka marrë një detyrë për asistim të njësitit të urgjencës të cilët gjendeshin brenda kampit.

Me të mbërritur në asistim policia ka takuar disa persona rreth 25 persona të ardhur nga Shqipëria ku më pas kanë filluar edhe fyerjet.

Një grua rreth të 40-ave i ishte drejtuar me fjalë fyese zyrtarëve policor dhe mjekëve të urgjencës se që një orë kanë thirrur ambulancën.

Burimet shtojnë edhe se zyrtarët policor kanë tentuar të qetësojnë situatën e më pas kanë marrë informacion nga personeli i emergjencës se janë kërcënuar, fyer madje edhe ishin sulmuar.

Tutje burimet e KALLXO.com thonë se gruaja rreth të 40-ave vazhdimisht kishte fyer personelin e urgjencës si dhe zyrtarët policor me fjalët “ju jeni kriminelë”.

Gruaja madje kishte filluar të kërcënonte dhe të fyente e sulmonte edhe njërin nga zyrtarët policor i cili ishte munduar që të qetësoj situatën.

Zyrtarë policor janë sulmuar nga rreth 20 persona në kampin gjerman. Tre prej tyre janë arritur që të identifikoheshin ndërsa të tjerët pasi ishte kërkua asistim emergjent nga zyrtarët policor kanë ikur nga vendi i ngjarjes.

Gjithashtu pas sulmit ndaj zyrtarëve policor, disa nga ta kanë pranuar edhe tretman mjekësor.

KALLXO.com disa minuta më parë raportoi se tre persona ishin arrestuar nga ana e policisë ndërsa janë liruar në proces të rregullt pasi që të njëjtit janë nën mbikëqyrje në Kampin Gjerman.

Mbi 500 persona nga Shqipëria janë strehuar në kampin, i cili më parë ka shërbyer si bazë e ushtrisë gjermane të KFOR-it në Prizren.

Lajmin për KALLXO.com e ka konfirmuar edhe zëdhënësi i Policisë në Rajonin e Prizrenit, Shaban Osmanollaj.

“Po, e kemi iniciuar një rast, bëhet fjalë për moszbatim të urdhrave të personave zyrtarë. Disa persona të cilët tani po qëndrojnë në Kampin Gjerman kanë kërkuar ndihmë mjekësore nga mjekët e emergjencave e më pas janë revoltuar dhe kanë tentuar t’i sulmojnë mjekët. Pastaj të njëjtit nuk i janë bindur edhe urdhrave të zyrtarëve policorë. Tre nga ta janë intervistuar”, tha Osmanollaj për KALLXO.com.

Osmanollaj gjithashtu kishte thënë se askush s’kishte pësuar lëndime.

Pas tërmetit të 26 nëntorit në Shqipëri, qytetarë të Kosovës kanë ofruar strehim për familjet të cilat kanë mbetur pa kulm mbi kokë si pasojë e dëmtimeve që kanë marrë ndërtesat pas tërmetit 6.4 ballësh.

Prizren, incident në kampin me të ardhur nga Shqipëria, arrestohen tre të strehuar