Pse sipas zëvendësministrit të Infrastrukturës nuk ka filluar ende sinjalizimi i rrugëve?

Hysen Durmishi, zëvendësministër i Infrastrukturës, ka thënë se prej vitit 2017 në Kosovë nuk janë nënshkruar kontrata për sinjalizimet e rrugëve.

Në një intervistë në “Kallxo Përnime”, Durmishi tha se tash janë të nënshkruara 4 kontrata për sinjalizim të rrugëve nacionale dhe regjionale.

“Prej vitit 2017 nuk ka pasur kontrata të sinjalizimit. Tash katër i kemi nënshkru ne dhe një lënda është në OSHP. Nuk kam mujtë sepse nuk mundem me bo kod të ri buxhetor me rishikim të buxhetit. Vijat e bardha nuk mund të vendosen në kushte atmosferike me reshje të shiut e kështu. Tash jemi duke hy në sezonën kur fillojnë ndërtimet. Tash i kemi të nënshkruara”, tha Durmishi.

Zëvendësministri premtoi se me këto kontrata të nënshkruara, i gjithë territori i Kosovës do të jetë me sinjalizime.

“Krejt territori i Kosovës ka me qenë me sinjalizime, një është në OSHP deri sa të nënshkruhet. Komplet territori i Kosovës ka me përfundu, të gjitha rrugët regjionale dhe nacionale, nuk po flas për këto lokale”, tha Durmishi.

Tutje, ai foli edhe për cilësinë e sinjalizimeve.

“Ka pozicione që vijat e bardha janë termoplastikë 3 mm, edhe për këtë kemi laborator të kontraktuar që ka me shku me i verifiku secilën vijë të bardhë që vendoset në kontratat e reja. Ato termoplastikë që janë me 3 mm e kanë qendrueshmërinë shumë më të gjatë. Në muajin maj kemi me pa kompanitë duke i vendosur”, shtoi Durmishi.