Pse sipas Hotit ‘mini-Schengeni ballkanik’ nuk është në interesin e Kosovës?

Ish- ministri i Financave dhe anëtari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, ka thënë se “mini-Schengeni ballkanik” nuk është në interes të Kosovës dhe të vendeve tjera të Ballkanit.

Sipas Hotit,”mini-Schengeni ballkanik” është i njëjti model si Unioni Doganor Ballkanik, të cilën gjatë kohës sa qeveriste kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, e kishte refuzuar.

Ai thotë se janë të paktën gjashtë arsye pse ky projekt nuk është në favor të shtetit tonë.

“Ia pamundëson Kosovës të vendosë kontrolle (tarifa, apo reciprocitet të plotë) për mallra që e çrregullojnë tregun e Kosovës, në radhë të parë ndaj Serbisë dhe Bosnjës si dy vende që nuk e njohin Kosovën dhe e pengojnë në çdo formë;

Mundëson lëvizje të papenguar për zyrtarë serbë që vijnë në Kosovë për fushatë politike kundër shtetit të Kosovës, pa pasur mundësi të ndalen në kufi për shkak të “lëvizjes së lirë” pa leje paraprake që mundëson minishengeni;

E de-faktorizon Kosovën politikisht dhe ekonomikisht në kontekst të marrëdhënieve rajonale, pasi marrëveshja nënkupton delegimin e fuqisë shtetërore në minishengen;

Favorizon ekonomikisht shtetet e Ballkanit që kufizohen me shtete anëtare të BE-së përmes politikës së taksave, ndërkaq Kosova nuk ka asnjë kufi me BE-në;

Krijon mundësi për invazion të mallrave nga Rusia dhe vendet e zonës ekonomike ruse për shkak se Serbia ka marrëveshje të tregtisë së lirë me Rusinë;

Si vendi me popullsinë dhe me ekonominë më të madhe në rajon, Serbia përmes kësaj ideje tenton ta mbajë sa më gjatë regjionin e Ballkanit jashtë Bashkimit Evropian, në pritje të krijimit të balanceve të tjera gjeopolitike me rol të shtuar të Rusisë”

Të dielën, tre nismëtarët e projektit të “mini-Schengenit ballkanik”, Edi Rama, Zoran Zaev dhe Aleksander Vuçiq, arritën ujdi në Ohër të Maqedonisë për projektin, i cili sipas tyre, do të lehtësoj jetën qytetarëve të shteteve përkatëse.

Në një konferencë të përbashkët nga Ohri, katër liderët kanë dhënë detajet e përmbajtjes së marrëveshjes, e cila, sipas tyre, përmban katër liritë e Bashkimit Europian: lirinë e lëvizjes së njerëzve, të mallrave, shërbimeve dhe kapitaleve.

Ata u bënë thirrje edhe vendeve tjera të Ballkanit Perëndimor që të bashkohen në këtë projekt.

Por, shumë kundërshtime pati në Kosovë. Ndërkohë që, këtë ide e bojkotoi edhe shteti i Malit të Zi.

Mali i Zi refuzon ‘Mini Schengen’-in ballkanik

www.kallxo.com