Pse ranë Facebook, Messenger, Instagram dhe WhatsApp?

Facebook dhe platformat e tij, Messenger, Instagram dhe WhatsApp, janë kthyer në funksion, pasi një rënie masive globale i zhyti në kaos për disa orë shërbimet, si dhe bizneset dhe njerëzit që mbështeten në to.

Kompania ka kërkuar falje, dhe ka thënë se po punon për të kuptuar më shumë për shkakun e problemit, që ka filluar para orës 6 të mbrëmjes së të hënës së 4 tetorit.

Facebook veçse po përballej me një krizë tjetër të madhe, pasi sinjalizuesja Frances Haugen, ish-menaxhere produktesh në Facebook, i dha gazetës The Wall Street Journal dokumente të brendshme, të cilat ekspozuan njohuritë e kompanisë për dëmet që shkaktojnë produktet dhe vendimet e saj. Haugen doli publikisht në emisionin “60 Minutes” të televizionit CBS, të dielën në SHBA, ndërsa do të dëshmojë edhe para një nënkomisioni të Senatit amerikan.

Haugen po ashtu ishte ankuar në mënyrë anonime te autoritetet federale të zbatimit të ligjit, duke pretenduar se hulumtimet e kryera nga vetë Facebook-u tregojnë se si kompania ushqen urrejtjen dhe keqinformimin, dhe çon në polarizim më të madh. Ajo po ashtu pretendon se kompania ishte në dijeni se Instagram mund të dëmtojë shëndetin mendor të vajzave adoleshente.

Shkrimet e WSJ-së, të titulluara “Dokumentet e Facebook-ut”, kanë paraqitur një imazh të një kompanie të përqendruar mbi zhvillimin dhe interesat e veta, në dëm të së mirës së përgjithshme. Facebook është munduar të minimizojë ndikimin e raportimeve. Nick Clegg, nënpresident i kompanisë për politika dhe çështje publike, u ka shkruar punonjësve të Facebook-ut, të premten, se “mediat sociale kanë pasur ndikim të madh në shoqëri në vitet e fundit, dhe Facebook është shpesh vendi ku ndodh një pjesë e madhe e këtij debati”, raporton AP.

Rënia nuk i ndihmoi aspak argumentit të Facebook-ut se madhësia dhe ndikimi i tij kanë dobi të rëndësishme për botën. Netblocks, firmë për monitorimin e internetit, me seli në Londër, ka theksuar se planet e Facebook-ut për ta integruar teknologjinë prapa platformave të tij – të bëra publike më 2019 – kanë ngjallur shqetësime për rreziqet e një lëvizjeje të tillë. Përderisa centralizimi “i jep kompanisë një pamje të unifikuar të shprehive të përdoruesve në shfrytëzimin e internetit”, ai gjithashtu i bën shërbimet të cenueshme nga një hallkë e vetme e dështimit, ka vlerësuar Netblocks.

“Kjo është epike”, ka thënë Doug Madory, drejtor për analiza të internetit në Kentik Inc, një kompani për monitorim të rrjeteve dhe inteligjencë. Rënia e fundit e madhe në internet, e cila nxori nga funksioni shumë prej ueb-faqeve më të mëdha të botës, ka zgjatur më pak se një orë. Kompania përgjegjëse në atë rast, Fastly, fajësoi një problem softueri, të shkaktuar nga një klient, që kishte ndryshuar një preferencë.

Për disa orë, i vetmi koment publik i Facebook-ut ishte një ‘cicërimë’ në rrjetin social Twitter, nëpërmjet së cilës kompania pranoi se “disa njerëz po hasin në probleme për t’u qasur në aplikacionin e Facebook-ut”, dhe tha se po punonte për t’ua mundësuar qasjen. Lidhur me dështimet e brendshme, shefi i Instagram-it, Adam Mosseri, shkroi në Twitter se ky incident i ngjante një ballafaqimi me mot ekstrem.

Mike Schroepfer, shef në largim i operacioneve teknologjike në Facebook, më vonë kërkoi “falje sinqerisht”.

Në një komunikatë të lëshuar pas kthimit të shërbimeve në funksion, Facebook-u fajësoi ndryshimet në ruterët që koordinojnë trafikun në rrjet ndërmjet qendrave të të dhënave. Kompania tha se ndryshimet penguan komunikimin, dhe ndikuan “në mënyrën se si komunikojnë qendrat tona të të dhënave, duke i ndërprerë shërbimet tona”.

Tani për tani nuk është parë ndonjë dëshmi se mund të ketë qenë i përfshirë ndonjë aktivitet i qëllimshëm keqbërës. Matthew Prince, shef ekzekutiv i operatorit të infrastrukturës së internetit, CloudFlare, ka shkruar në Twitter se “asgjë që kemi parë në lidhje me rënien e shërbimeve të Facebook-ut nuk sugjeron se bëhet fjalë për ndonjë sulm”.

Facebook nuk i është përgjigjur kërkesave për koment rreth mundësisë së ndonjë sulmi apo aktiviteti keqbërës.

Përderisa pjesa më e madhe e personelit të Facebook po punon nga shtëpia, ka pasur raportime se punonjësit në detyrë në zyrat qendrore të kompanisë, në Menlo Park të Kalifornisë, kanë hasur në telashe për të hyrë në ndërtesa, për shkak se rënia nga sistemi i kishte nxjerrë nga funksioni kartelat e tyre të sigurisë.

Por, ndikimi ishte dukshëm më i madh për shumë prej gati 3 miliardë përdoruesve të Facebook-ut, duke theksuar sesa e varur është bërë bota nga ai dhe pjesët përbërëse të tij – për të udhëhequr biznese, për t’u lidhur me komunitetet virtuale, për të hyrë në një mori ueb-faqesh të tjera, e madje edhe për të porositur ushqim.

Rënia e Facebook-ut dhe platformave të tjera të tij tregoi se, përkundër pranisë së shërbimeve të tjera, si Twitter, Telegram, Signal, TikTok e Snapchat, asgjë nuk mund ta zëvendësojë lehtësisht një rrjet social që gjatë 17 vjetëve të fundit është bërë infrastrukturë kritike. Rënia nga sistemi ka ndodhur në të njëjtën ditë kur Facebook-u i kërkoi një gjyqtari federal që të hidhte poshtë një ankesë për monopol ndaj tij nga Komisioni Federal i Tregtisë, për shkak se përballej me konkurrencë të ashpër nga shërbimet e tjera.

Sigurisht se ekzistojnë shërbime të tjera ‘online’ për publikim të fotografive, për lidhje me admiruesit, apo për kontaktim të zyrtarëve të zgjedhur, por për ata që mbështeten te Facebook-u për ta udhëhequr biznesin e tyre, apo për të komunikuar me miqtë dhe familjen në vende të largëta, ky fakt nuk i lehtësoi shumë.

Kendall Ross, pronar i një kompanie veshjeje, të quajtur Knit That, në Oklahoma Siti, ka thënë se i ka 32 mijë ndjekës në faqen e biznesit të tij në Instagram. Pothuajse krejt vizitorët në uebsajtin e tij vijnë drejtpërdrejt nga Instagram-i. Ai ka publikuar një fotografi të një produkti, rreth një orë para se Instagram-i të dilte nga funksioni. Ross ka thënë se synon t’i shesë dy veshje, pasi ka publikuar një foto, për rreth 300 apo 400 dollarë amerikanë.

“Rënia e sotme është katastrofike nga aspekti financiar”, ka thënë ai. “Ajo gjithashtu ma kujtoi mirë se mediat sociale kontrollojnë aq shumë nga suksesi im në biznes”, ka shtuar Ross.

Aq shumë njerëz mbështeten te Facebook-u, WhatsApp-i apo Instagram-i, si mjete kryesore të komunikimit, saqë humbja e qasjes në to për një kohë të gjatë mund t’i bëjë ata të cenueshëm nga kriminelët që shfrytëzojnë rënien e tyre nga sistemi, ka thënë Rachel Tobac, hakere dhe shefe e SocialProof Security.

“Pa to, ata nuk dinë se si të kontaktojnë njerëzit në jetën e tyre”, është shprehur ajo. “Ata janë më të prekshëm nga inxhinieria sociale, sepse janë aq të vendosur për të komunikuar”, ka thënë Tobac. Sipas saj, gjatë rënieve të mëparshme nga sistemi, disa njerëz kanë pranuar mesazhe që u kanë premtuar kthimin e llogarive të tyre, duke klikuar adresa manipuluese që mund t’i ekspozojnë të dhënat e tyre.

Jake Williams, shef teknik në firmën për siguri kibernetike, BreachQuest, ka thënë se përderisa një aktivitet i qëllimshëm nuk mund të hidhet poshtë krejtësisht, gjasat janë të mira që rënia të jetë “çështje operative”, e shkaktuar nga gabimi njerëzor.

“Ajo që u pa është se udhëheqja e një sistemi të madh, edhe sipas standardeve të internetit, dhe të shpërndarë, është shumë e vështirë, edhe për më të mirët”, ka shkruar në Twitter shkencëtari kompjuterik nga Universiteti Columbia, Steven Bellovin.

Twitter u përfshi në diskutimet për incidentin, duke ‘cicëruar’ në llogarinë e vet kryesore, “përshëndetje bash të gjithëve”, teksa shakatë për rënien e Facebook-ut vërshuan platformën.

Më vonë, teksa qarkullonte një fotografi e paverifikuar, që sugjeronte se adresa facebook.com ishte në shitje, shefi i Twitter, Jack Dorsey, pyeti, “sa kushton?”. REL