Pse Qeveria po shmang konferencat me gazetarë?

Ekzekutivi kosovar nuk e ka një strategji të komunikimit me publikun. Kështu ka thënë zëvendëskryeministri i parë, Besnik Bislimi.

Ai, në një intervistë për “Kallxo Përnime”, ka thënë se konferencat tradicionale për shtyp nuk po ndodhin për disa arsye ndërsa tha se Qeveria dhe dikasteret po bëjnë më të mirën për të komunikuar me publikun.

“Unë nuk mendoj që ka një strategji dhe pastaj kemi thënë që ne po veprojmë në kuadër të kësaj strategjie”, tha numri dy i Qeverisë.

“Mendoj që ne brenda kornizave dhe mundësive që na janë ofruar edhe nga sistemi medial në Kosovë, jemi munduar me e bë më të mirën që qytetarët me i mbajtë të informuar dhe ndonjë herë me gjetë mekanizma të cilët e pengojnë devijimin apo keqinformimin e qytetarëve”, tha ai.

Në kohën e sotme, kur interneti dhe përdorimi i rrjeteve sociale nga qytetarët është i lartë, institucionet publike kanë rralluar mbajtjen e konferencave me gazetarë. Kështu, ata po shmangin gazetarët për t’u ballafaquar me pyetje.

Sipas Bislimit kjo nuk është pjesë e ndonjë strategjie.

“Ndonjëherë kjo mund të duket jo konvencionale, mund të duket si pjesë e ndonjë strategjie por është thjesht rruga që kanë zgjedhur ministritë e linjës për me ardhë te qytetari si përfitues i informatave mbi atë se çfarë po punohet. Ka ministri që zgjedhin më shumë rrjetin social për të informuar, nuk ka ndonjë standardizim”, tha Bislimi.

Ai ka arsyetuar paraqitjen e rrallë të qeveritarëve në konferenca me gazetarë. Ndërsa, ka dhënë edhe një shpjegim pse ato nuk po mbahen më shpesh.

“Ndoshta është më mirë të pyeten vetë zëdhënësit, ne i kemi dy zëdhënës në Zyrën e Kryeministrit. Unë personalisht mendoj që konferencat nuk duhet të mbahen vetëm për të thënë se janë mbajtur por duhet të mbahen atëherë kur ke me komuniku diçka me qytetarët”, tha Bislimi në “Kallxo Përnime”.

“Është problem për qeverinë me orientu mesazhin në atë mënyrë që ne mendojmë që është produktive sepse konferencat e rregullta pastaj menaxhohen nga dikush tjetër, nuk menaxhohen nga Qeveria dhe mesazhi që ne dëshirojmë ta përçojmë por diktohet nga personat që janë prezent në media dhe pyetjet”, tha zv. kryeministri, Besnik Bislimi.

Sipas tij, jo të gjitha mediat në Kosovë i shërbejnë publikut.

“Tash, dorën në zemër, në mjedisin mediatik në të cilin po jetojmë në Kosovë, jo domosdoshmërisht të gjitha mediat e kanë për mision përçimin e informatave”, deklaroi Bislimi.