Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Pse Prizreni ende nuk e ka Hartën Zonale?

Beni Kizolli, drejtor i Urbanizmit në Komunën e Prizrenit, ka folur në emisionin ‘KallxoPernime’ në lidhje me hartimin e Hartës Zonale në këtë Komunë.

I ftuar në debatin ku po diskutohet për Planin Hapësinor të Prizrenit, Kizolli tha se Harta Zonale e Prizrenit ka 4 vite që ka filluar të hartohet.

“Së pari, një kontekst me Infrakosin, është parandalu Plani Zhvillimor Komunal gati 6 muaj. Kur e ka fillu mandatin kryetari, për 6 muaj është stagnu Harta Zonale. Nga viti 2013 deri në vitin 2017 ka pasur një boshllëk apo hapësirë në komunën e Prizrenit, nuk mundem me u përgjigj pse”, tha ai.

“Si Prizren para katër viteve kemi fillu hartimin e Hartës Zonale. Si proces, ka përjetuar sfida të ndryshme. Fillimisht, me pëlqimin e Ministrisë na është lejuar vazhdimi me Hartën Zonale. Ne kemi një udhëzues dhe në pas të tij po vazhdojmë me hartimin”.

Tutje, Kizolli tha se janë 22 Plane Rregulluese në Prizren, që kanë qenë produkt të Planit Urbanistik që nuk është ende në fuqi. Sipas tij, shumica e Planeve Rregulluese janë të monopolizuara.

“Shumica e Planeve Rregulluese kanë qenë të monopolizuara, ku ka qenë interesi, është drejtu edhe planifikimi. Tash me Hartën Zonale, ne do të përfshijmë të gjithë çdo hapësirë, brenda vijës urbane. E për çdo hapësirë do të japim kriteret e ndërtimit, koeficientin, hapësirat e shfrytëzimit”.

Kizolli tha se në këto plane janë kriteret për ndërtim janë të përcaktuara shumë mirë, por që nuk gjejnë zbatim sa duhet.

“Ka kritere për infrastrukturë, gjerësia e rrugëve, përqindja e bazës së ndërtimit, përqindja e parkingjeve, e gjelbërimit krejt këto kritere jemi të obliguar me i zbatu dhe me i reflektu në Hartën Zonale”, tha Kizolli.

Në KALLXO.com  po transmetohet debati i tretë prej një seri debateve që do të zhvillohen për planifikimin hapësinor të komunave tona. Debatet po organizohen prej dy organizatave që punojnë me plane hapësinore dhe trashëgimi kulturore, ‘Qytetarët Aktiv’ dhe ‘Ec ma Ndryshe’.

Sa janë qytetarët e përfshirë në planifikimin e qytetit të tyre? A i ka pyetur dikush sa kat duhet me qenë ndërtesat e qytetit të tyre? A është planifikimi urban i qyteteve tona në përputhje me standardet evropiane?

Në debatin për Prizrenin të ftuar për diskutim janë Luan Nushi nga Instituti për Planifikim Hapësinor, Flutra Zymi nga ‘Qytetarët Aktiv’, Beni Kizolli drejtor i Urbanizmit në komunën e Prizrenit dhe Enes Toska nga organizata ‘Ec ma Ndryshe’.