Ilustrim

Pse po vazhdojnë të rriten çmimet në Amerikë?

Rritja e çmimeve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka vazhduar edhe në fillim të këtij viti. Një tjetër masë kryesore e inflacionit tregoi se çmimet u rritën më shumë se sa pritej.

Indeksi i çmimeve të prodhimit (PPI), i cili gjurmon ndryshimet e çmimeve që prodhuesit amerikanë paguajnë për mallrat dhe shërbimet, u rrit prej 9.7 për qind, njoftoi të martën Byroja e Statistikave të Punës.

Kjo ishte shumë më e lartë nga sa prisnin ekonomistët, megjithëse kishte një rënie prej 0.1 për qind nga niveli i lartë që ishte arritur në fund të vitit 2021, raporton CNN.

“PPI ofron një pamje me çfarë presionesh të çmimeve po përballen bizneset, të cilat ka të ngjarë të reflektojnë te konsumatorët në inflacionin e çmimeve të konsumit në muajt në vijim”, tha ekonomisti i PNC, Kurt Rankin.

Vetëm për muajin janar, çmimet u rritën me 1 për qind, të përshtatura për luhatjet sezonale, duke zbehur si rritjen e çmimeve nga dhjetori, ashtu edhe pritshmëritë e ekonomistëve. Parashikimet kishin qenë vetëm për një rritje çmimi prej 0.5 për qind, transmeton Telegrafi.

Duke hequr shërbimet e ushqimit, energjisë dhe tregtisë, të cilat priren të kenë luhatje të çmimeve, matësi i inflacionit u rrit 0.9 për qind në muajin janar, rritja më e madhe që nga janari i vitit 2021. Gjatë periudhës 12-mujore, çmimet bazë u rritën me 6.9 për qind, rënie prej 0.1 për qind krahasuar me muajin dhjetor.

Të dhënat e inflacionit të çmimeve të konsumit të javës së kaluar – një tjetër matës kryesor i çmimeve – tejkaluan gjithashtu pritjet e analistëve dhe u ngjitën në nivelin më të lartë të gati 40 viteve.

Ekonomistët shpresojnë se Amerika do të shohë inflacionin pandemik të arrijë kulmin në muajt e parë të vitit 2022. Nuk është ende e qartë nëse ky kulm u arrit në janar apo nëse do të vijë muajt e ardhshëm.

Por konsumatorët presin një lehtësim. Pritjet e konsumatorëve për rritjen e çmimeve ranë për herë të parë që nga tetori i vitit 2020, sipas hulumtimit të Rezervës Federale të New Yorkut.

Në një horizont trevjeçar, edhe pritjet për inflacionin ranë, duke shënuar rënien më të madhe njëmujore që nga viti 2013 kur filloi vrojtimi.

Ku dhe pse u rritën çmimet?

PPI gjurmon çmimet për mallrat dhe shërbimet e gatshme të shitura për konsumatorët, si dhe mallrat, shërbimet, mirëmbajtjen dhe riparimin e ndërtimit të shitur për bizneset që prodhojnë ose ofrojnë ato produkte të gatshme.

Në janar, çmimet u rritën në të gjitha aspektet, duke përfshirë mjetet motorike dhe pajisjet, gazin, veshjet dhe aksesorët, transportin dhe kujdesin ambulator në spital.

Rritja e muajit të kaluar në kostot e energjisë nuk do të përmirësohet në muajin shkurt, tha ekonomistja e lartë e BMO-s, Jennifer Lee.

Të hënën, çmimet e naftës në SHBA u rritën për një kohë të shkurtër në nivelin e tyre më të lartë që nga viti 2014, mes shqetësimeve të shtuara për një pushtim të mundshëm rus të Ukrainës.

Edhe pse çmimet e naftës ranë herët të martën, lajmet e mira të lidhura me inflacionin janë të vështira për t’u arritur.

“Një vështrim i hershëm i shkurtit në një pjesë të vendit nuk janë duke sjellë lajme të mira”, tha Lee, duke iu referuar indeksit të prodhimit të shtetit të New Yorkut që u publikua në të njëjtën kohë me PPI dhe pritshmëritë e dobëta.

Inflacioni i lartë ka qenë gjithashtu një sfidë për Uashingtonin. Presidenti amerikan, Joe Biden dhe zyrtarët e administratës e kanë pranuar se ngritja e çmimeve po ua vështirëson jetën amerikanëve.

“Presidenti do të vazhdojë të bëjë përparim në planin e tij tre-pjesësh për adresimin e ndërprerjeve të zinxhirit të furnizimit; uljen e kostos së jetesës përmes axhendës Build Back Better; dhe promovimin e konkurrencës”, tha një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë për CNN Business.

Për Rezervën Federale, e cila ka për detyrë të mbajë çmimet të qëndrueshme, raporti i së martës sapo ritheksoi se inflacioni është shumë i nxehtë dhe se është koha për të rregulluar politikën monetare.

FED filloi të mbyllte programet e saj stimuluese pandemike në fund të vitit të kaluar dhe sinjalizoi në janar një synim për të rritur normat e interesit në takimin e marsit.

Sipas CME FedWatch Tool, pritshmëritë e tregut janë anuar pak drejt një rritjeje prej 0.5 për qind. /Telegrafi/