Smajl Latifi. Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Pse nuk u pasurua me artefakte Muzeu i Rahovecit?

Qyteti i Rahovecit është një prej vendbanimeve më të vjetra të Kosovës, por historia e tij nuk është ruajtur edhe aq shumë. Rahoveci ka një muze, por nuk ka shumë artefakte dhe shumica prej tyre qëndrojnë në Prishtinë dhe Prizren apo në shtëpi të individëve.

I pari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi, në vitin 2017 kishte premtuar që do të krijonte kushte më të mira dhe do ta pasuronte këtë Muze.

Por, ky Muze ende ka mungesë të artefakteve dhe monumenteve si dhe ciceroni është pensionuar.

Latifi në emisionin “Jeta në Komunë” përballë Jeta Xharrës u pyet në lidhje me premtimin e tij për këtë Muze.

Ai tha se do të bëjë marrëveshje me individë që t’i sjellin artefaktet në Muzeun e qytetit.

“Ka edhe individë që i ruajnë artefaktet dhe është një person në Drenoc që e ka një muze dhe jam i interesuar me bë një marrëveshje me të që ai me dorëzu artefaktet. I kam premtuar dhe ka një kosto”, tha Latifi.

“Ka investime në Muze, e kam bë një muze në Krushë, e kam bë një muze te Maja e Shkodranit, tash pasurimi me artefakte është një çështje që ka të bëjë edhe me sigurinë, unë pajtohem por kushtet që i ka muzeu i qytetit dhe ciceroni është bllokuar për shkak të ligjit për zyrtarë publikë”, shtoi më tej Latifi.

 

Sonte në debatin “Jeta në Komunë” përballë Jeta Xharrës, është kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi.

Në këtë debat, Latifi do të ballafaqohet me premtimet e bëra në fushatën e vitit 2017, punët e përfunduara si dhe ato të papërfunduara deri tani, për tri vite të qeverisjes.

Tek pyetjet e ‘zërit të qytetarëve’, Latifi do të arsyetohet për mos funksionalizimin e hemodializës, mungesës së ujit e kanalizimit, me problemet e vreshtarëve të Rahovecit si dhe me problemet e mësimdhënësve të larguar nga puna e po ashtu edhe me muzeun e zbrazët të këtij qyteti.

Përballë Latifit nga ana e opozitës është vetëm asamblisti i Lëvizjes Vetëvendosje, Ali Zhuniqi. Pjesëmarrës në debat janë edhe asamblisti i AAK-së, Ali Morina dhe nënkryetari i komunës, Fatmir Iska.