Pse nuk reagoi Ministria e Ekonomisë për zgjedhjen e kryeshefit në Postën e Kosovës?

5 mars, bordi i përkohshëm i Postës së Kosovës zgjodhi Xhevdet Smakiqin kryeshef ekzekutiv në këtë ndërmarrje.

Bordi i përkohshëm i Postës së Kosovës përbëhet nga katër anëtarë, Leonard Shabanaj, kryesues, Fadil Aliu, Elda Maloku dhe Ujkan Kameraj, anëtarë.

Procedurat e rekrutimit për pozitat e larta në Postën e Kosovës u zhvilluan pavarësisht se një kërkesë nga Ministria e Ekonomisë ekzistonte që nuk parashihte konkurse nga bordet e përkohshme.

Në një intervistë për “Kallxo Pernime”, kryesuesi i bordit, Leonard Shabanaj, tha se kishte propozim në biseda private nga Ministria e Ekonomisë që të vazhdojnë procedurat e konkursit.

“Ne kemi qenë në komunikim me aksionarin, kemi marrë një qëndrim verbal të tyre që t’i shpallim këto konkurse dhe të vazhdojmë me procedurat. Nuk i kuptoj tash këto reagime por ne kemi qenë në vazhdimësi në komunikim edhe me njësinë edhe me stafin politik dhe kemi marrë një qëndrim verbal që të vazhdojmë me procedura, edhe me ish-ministrin edhe me ministrin aktual (Muharrem Nitaj) edhe me drejtorin e njësisë dhe qëndrimi verbal ka qenë që të vazhdojnë procedurat…”, ka thënë Shabanaj.

Por, këtë nuk e ka pranuar ish-ministri i Ekonomisë, Blerim Kuçi.

“Jo. Nuk me kujtohet saktësisht, por atëherë ka qenë qëndrimi jonë për shkak se ne kemi hy në përzgjedhje të rregullta të bordeve, s’ka pasë kuptim me i zgjedh edhe shefat e ekzekutivit prej një bordi që është i përkohshëm duke pasë parasysh se kemi hy në procedura të përzgjedhjes së bordeve të rregullta”, ka thënë Kuçi.

Edhe ish-ministri, Muharrem Nitaj ka thënë se nuk e ka udhëzuar kryesuesin e bordit të Postës që t’i zhvillojë procedurat e rekrutimit.

“Në rastin e Postës ka qenë situata pak më ndryshe, ka dhënë dorëheqje, unë e kam pyet Njësinë Monitoruese se a ka mandat bordi, d.m.th. a i shkel procedurat ligjore, nëse nuk i shkel vazhdon punën e vet nëse i shkel ndërpritet. Atij s’i kam thënë as vazhdoi as mos i vazhdo”, ka thënë ai.