Pse nuk po hapet fabrika për përpunimin e mbetjeve shtazore për të cilën u shpenzuan miliona euro?

Mbi 10 milionë euro janë investuar në një fabrikë për përpunimin e mbetjeve shtazore, e cila nuk po arrin të funksionalizohet.

Fabrika në një pjesë është projekt i Bashkimit Evropian. Për këtë fabrikë, 5.7 milionë do të jepeshin nga Komisioni Evropian përmes fondeve IPA, kurse 2 milionë tjerë nga Qeveria e Kosovës.

Drejtori i Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinës, Flamur Kadriu, në emisionin “Kallxo Përnime” ka thënë se ka ndodhur e kundërta: Qeveria e Kosovës ka dhënë 5 milionë ndërsa Komisioni Evropian 2 milionë euro.

Ai ka thënë se kjo ka ndodhur për shkak të një tenderi të cilin Komisioni Evropian e ka anuluar.

“Kur filloI ndërtimi ashtu ka qenë e projektuar që 2 milionë të investohen nga Komisioni Evropian, 1 milion nga Qeveria e Kosovës, kjo ishte faza e dytë – ndërtimi dhe faza e tretë blerja dhe vendosja e pajisjeve. Pasi u kry ndërtimi, tash kam dëgjuar që Komisioni Evropian e kanë pasë tenderin dhe e kanë anulu pastaj, dhe me anulim të tenderit i kanë tejkaluar afatet e nevojshme dhe e kanë humbur investimin. Pajisjet pastaj u dashtë që Qeveria e Kosovës t’i blejë” – ka thënë Kadriu.

Për KALLXO.com, Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë ka thënë se i kanë kryer obligimet e tyre.

Zyra e BE-së ka thënë se duhen edhe disa parakushte për të funksionalizuar këtë fabrikë, e të cilat janë obligime të Qeverisë së Kosovës.

“Disa punë infrastrukturore lidhur me lotin 1 nuk janë kryer ende, për shembull, rezervuari i gazit dhe infrastruktura e gypit të tij. Gjithashtu nevojitet testimi dhe miratimi i duhur për impiantin për trajtimin e ujërave të zeza. Impianti për trajtimin e mbetjeve organike do të jetë funksional pasi të plotësohen parakushtet për operim dhe mirëmbajtje të qëndrueshme” – thuhet në përgjigjen e BE-së.

Lidhur me këtë, drejtori i AUV ka thënë se edhe për çështjen e gazit është ndryshuar plani nga Komisioni Evropian.

“Nuk është kry sepse projekti në ndërkohë ka ndryshuar, projekti fillimisht sipas dizajnit ka qenë që fabrika të operojë më rrymë elektrike dhe më pas është vendosur që të punohet me gaz. Komisoni Evropian e ka ndryshuar. Ne nuk kemi ekspertizë teknike”- ka thënë Kadriu.

Ai tutje ka thënë se për ndërtimin e kësaj fabrike kërkesa është bërë në vitin 2008-2009.

Sipas tij, projekti për fabrikën që do të mundësonte përpunimin e mbetjeve shtazore është aprovuar në tri faza.

“Në 2008-2009 është bërë kërkesa nga Komisioni Evropian që të na ndihmojnë për ndërtimin e një fabrike e cila kishte më qenë e nevojshme për arsye se mbetjet shtazore sidomos kafshët e ngordhura paraqesin rrezik për shëndetin publik dhe ambientin. Ky projekt është aprovuar në tri faza, faza e parë ka qenë  vlerësimi i mjedisit, dizajnit i fabrikës, përzgjedhja se ku do të vendoset e kështu me radhë, çështje teknike e këto. Faza ka qenë kryesisht e menaxhuar nga Komisioni Evropian” – ka thënë Kadriu.