Debat, Jeta Xharra dhe Arban Abrashi. Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Pse ndryshoi LDK mendje për "Mini-Shëngenin"?

Ministri i Infrastrukturës, Arban Abrashi, në emisionin “Jeta në Kosovë”, ka treguar pse partia në të cilën bënë pjesë ai, LDK-ja, ndërroi mendjen sa i përket “Mini-Shëngenit”.

Abrashi tha se në fillim ka qenë ide e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, kurse tani e ka kërkuar presidenti amerikan, Donald Trump dhe sipas tij, kjo është më serioze.

“Si LDK ma herët na ka penguar që shpeshherë ka qenë ide e Edi Ramës. Nuk jemi trajtu si e meritojmë, jo si shtet. ‘E kam një ide, hajdeni, se keni qare pa ardhë, apo a e që te kallxoj unë’. Qekjo ka qenë, ide e ndarë. Kush po të thirrë pak a shumë ka qenë problemi”, tha Abrashi përballë Jeta Xharrës.

Anëtari i delegacionit të Kosovës në dialogun Kosovë-Serbi tha se “Mini-Shëngeni” ka qenë kërkesë ekskluzive prej Trump.

“E tash po na thirr Donald Trump. Ka qenë kërkesë e tij duheni me bë këtë për afrim, bashkëpunim dhe po ju lus dhe kemi thënë për hair”. Me të thirrë Donald Trump është shumë ma e fuqishme, sepse e para që kemi me qenë të gjithë hisedarë të barabartë. Më herët ka qenë veç ide, tash është më serioze. Ne kemi kërkuar me hek, por Trump ka thënë kjo është kërkesa e imja. Tash nuk është union doganor, tash jemi hisedarë të barabartë”, shtoi Abrashi.

Me marrëveshjen e 4 shtatorit, të nënshkruar nga kryeministri Avdullah Hoti në Shtëpinë e Bardhë, Kosova pranoi t’i bashkangjitet ‘Mini-Schengenit ballkanik’.

Por, vetë kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, që në nëntor të vitit 2019, kohën kur u negociua për “Mini-Schengenin”, ishte anëtar i Lidhjes Demokratike të Kosovës e pati kundërshtuar këtë ide të inicuar nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama. Ai në atë kohë këtë projekt e pati quajtur “shumë të dëmshëm dhe pa interes” për Kosovën.

Kundërshtues, sië ka thënë për ‘mini-Jugosllavinë’ në atë kohë u shpreh edhe kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, ai pati deklaruar se një gjë të tillë nuk do e pranojnë edhe po të jenë në pozitë.

“Janë ide që nuk i kemi përkrahur sa e kemi drejtuar qeverinë dhe nuk do t’i përkrahim si Lidhje Demokratike e Kosovës, as në pozitë dhe as në opozitë”, pati thënë Mustafa.

.