Pse ndodhi kriza energjetike në Kosovë?

Adnan Preniqi nga Ministria e Ekonomisë në emisionin “Kallxo Përnime” ka shpjeguar procesin se si Kosova ka ardhur deri në pikën që të përballet me krizë energjetike.

Sipas tij, çmimet e energjisë elektrike në Kosovë kanë filluar të rriten në gusht të vitit 2021.

Ai ka thënë se pas kohës së lirimit të masave të vendosura për shkak të pandemisë edhe ekonomia ka nisur të këndellet.

“Ekonomitë në botë kanë fillu me punu më intensivisht dhe është rritur kërkesa për energji”, ka thënë ai.

Tutje i njëjti ka thënë se si pasojë e rritjes së kërkesave për energji edhe çmimet kanë lëvizur.

“Kosova në gusht, shtator, tetor edhe në nëntor pothuajse i ka plotësu kapacitetet e veta dhe importi ka qenë shumë minimal”, është shprehur Preniqi.

Sipas tij çmimet për import të energjisë elektrike kanë qenë 60 euro, në nëntor dhe dhjetor kanë filluar të rriten dhe të shkojnë deri në 300 euro.

Po ashtu, ai ka përmendur edhe rënien nga sistemi të bllokut 2 të termocentralit “Kosova B”, që sipas tij prodhon një të tretën e energjisë së prodhuar në vend.

“Në dhjetor diku 700 MW është dashtë me i importu me çmime të larta. Ka ndodhë që një MW është pagu 600 euro”, ka shtuar Preniqi.

Kështu, sipas tij, Kosova ka ardhur në fazën ku nevoja për import të energjisë ka qenë shumë e lartë dhe çmimet kanë qenë shumë të mëdha.

ZRrE më 17 janar 2022 kishte propozuar që të rikthehen bllok-tarifat e energjisë duke propozuar që çmimi i energjisë për ata që konsumojnë mbi 600 kilovatë të dyfishohet.

Tarifat për biznese dhe 600 kWh e parë të amvisërisë do të vazhdojnë të faturohen me tarifat e njëjta që kanë qenë, pra nuk do të ketë shtrenjtim.

Kurse, tarifa për konsumatorët shtëpiakë për konsumin mbi 600 kWh është dyfishuar. Tarifa për energjinë në tarifë të lartë nga 6.75 centë për kilovat është shtrenjtuar në 14 centë, apo një rritje prej 107%. Kurse, tarifa e ulët apo energjia e konsumuar gjatë natës nga 2.89 centë është shtrenjtuar në 6 centë, një rritje prej 107%.