Pse ndërkombëtarët kritikuan aksionin e mbylljes së strukturave paralele serbe nga Policia e Kosovës?

Xhafer Ymeri nga Podujeva, të mërkurën, më 15.01.2025, erdhi në Graçanicë për të marrë shërbime në Postën e Serbisë. Por, ai u kthye prapa pa kryer punë, meqë autoritetet kosovare e mbyllen postën për të cilën pretendojnë që është ilegale.

Ymeri, i cili foli për KALLXO.com, ka frikë se vërtetimin që është gjallë nuk do të arrijë ta dërgojë në Beograd, në mënyrë që të vazhdojë ta marrë pensionin.

“Jam ardhë me u lajmëru që jam gjallë, se i marrin ata vërtetimat e dua me i çu për Beograd. Për qata kam ardhë. Pardje u kanë ‘zavodi’ mshelë, dje u kanë mshelë, sot mshelë. Çka është kjo punë nuk e di, na vërtetimet mos me i çu kena me mbetë pa pensione. Jemi kanë punëtor të Beogradit, tash ku me u drejtu s’e di” – tha Xhafer Ymeri për KALLXO.com.

Kurse, drejtori i Postës, Ivan Millojeviq, tha se qëllimi i autoriteteve kosovare është që tema e postës të largohet nga bisedimet në Bruksel.

“Policia erdhi për të mbyllur Postën, duke thënë se është gjë e përkohshme derisa të aplikojmë për licencë. Por mua këtu asgjë s’më duket e përkohshme, as qëllimi i përkohshëm. Sikurse në veri ashtu edhe në jug qëllimi është tjetër, të heqin postën nga bisedimet në Bruksel, sepse atje po diskutohet për këtë. Këtë e di Kurti por s’ka nevojë para zgjedhjeve të bëj filma. Filma sikurse që bënte represion me Policinë ndaj popullit serb. Kjo fushatë është negative dhe them se do t’i ‘thyhet për koke’”-tha Millojeviq pas aksionit të Policisë.

Po në Graçanicë, 200 metra larg objektit të Postës, Policia e mbylli edhe Autoritetin e Përkohshëm Komunal të Prishtinës. Kurse në fshatin Lepi, mbylli objektin që shërbente si zyrë komunale për banorët e Lipjanit.

Përveç në Graçanicë, autoritetet kosovare mbyllën edhe disa organe komunale serbe, zyra postare dhe të Administratës Tatimore të Serbisë, në dhjetë komuna të Kosovës, pas një aksioni të gjerë më 15.01.2025.

Aksionet policore u zhvilluan në komunën e Lipjanit, Obiliqit, Prishtinës, Fushë-Kosovës, Vushtrrisë, Novobërdës, Kamenicës, Vitisë, Rahovecit dhe Skenderajt.

Megjithatë, aksioni në rajonin e Prishtinës u krye pa autorizimin e Prokurorisë.

Prokuroria Themelore e Prishtinës njoftoi se nuk është ofruar asnjë provë për të krijuar dyshimin e bazuar për kryerjen e ndonjë vepre penale.

“Prokurori i shtetit sqaron opinionin publik se nuk ka autorizuar kryerjen e kontrollit apo bastisjes në këto lokacione, për shkak se nuk ka pasur ndonjë kërkesë zyrtare me shkrim për kryerjen e këtij aksioni nga ana e institucioneve gjegjëse, për çka edhe nuk është ofruar kurrfarë prove para prokurorit të shtetit për tu krijuar dyshimi i bazuar se është duke u kryer ndonjë vepër penale që bie nën kompetencën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë”-tha Prokuroria përmes një komunikate.

Policia për aksionin ndaj strukturave paralele, thotë se ndërpreu aktivitetet e disa institucioneve të jashtëligjshme

Për bastisjet, autorizim nuk ka lëshuar as Prokuroria Themelore e Mitrovicës, teksa zëdhënësi Valon Preteni për KALLXO.com tha se po presin për kërkesë.

“Prokurori kujdestar vetëm është njoftuar nga Policia, por kërkesë nuk ka pasur. Pritet që kërkesa të bëhet e pastaj të vendoset më tutje”- bëri të ditur Preteni.

Ndërkohë, Policia përmes një komunikate tha se aksioni kishte qellim ndërprerjen e aktiviteteve të disa institucioneve të jashtëligjshme.

“Policia e Kosovës me njësitë e saja relevante, sot në orët e hershme të mëngjesit, në bashkëpunim dhe koordinim me institucionet përkatëse të Republikës së Kosovës, ka realizuar një operacion të gjerë policor, operacion ky i shtrirë në disa rajone të Kosovës: DRP Prishtinë, DRP Gjilan, DRP Gjakovë dhe DRP Mitrovicë Jugu, për ndërprerjen e aktiviteteve të disa institucioneve të jashtëligjshme që vepronin si komuna, posta, banka, etj., të cilat ofronin shërbime të jashtëligjshme, kundër rendit kushtetues dhe ligjeve pozitive të Republikës së Kosovës”- tha Policia përmes komunikatës.

KALLXO.com i ka dërguar pyetje Ministrisë së Punëve të Brendshme, por deri në publikimin e shkrimit nuk mori përgjigje.

Ambasada e SHBA-së në Kosovë ka reaguar duke vlerësuar se veprimet e Qeverisë së Kosovës për mbylljen e institucioneve të drejtuara nga Serbia “dobësojnë besimin në marrëdhënie dhe kufizojnë aftësinë tonë për të ndihmuar Kosovën të sigurojë të ardhmen më të mirë dhe më të ndritshme për të gjithë njerëzit e saj”

Mbyllja e strukturave ilegale, Ambasada Amerikane thotë se këto veprime e dobësojnë besimin

Për aksionin e së mërkurës ka reaguar edhe Bashkimi Europian, duke përmendur faktin se mbyllja e strukturave të mbështetura nga Serbia, u bë në mes të fushatës zgjedhore për zgjedhjet parlamentare të 09.02.2025, dhe “veprimet bien ndesh me detyrimet e Kosovës ndaj Bashkimit Europian në kuadër të procesit të normalizimit”.

BE thotë se Qeveria mbylli strukturat ilegale në mes të fushatës, ia përmend edhe masat

Sipas BE-së, statusi i strukturave të mbështetura nga Serbia parashikohet të zgjidhet përmes dialogut të lehtësuar nga BE-ja.

Ndër të tjera janë përmendur edhe masat ndaj Kosovës, duke shtuar se këto veprime të Kosovës janë të pafavorshme për t’ia hequr masat.

Në një video të publikuar në rrjete sociale, ministri i Brendshëm Xhelal Sveçla tha se “me aksionin e përbashkët, përfundon epoka e komunave dhe institucioneve paralele e kriminale të Serbisë në Republikën e Kosovës”.

Në videon e publikuar u pa edhe ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, teksa shtoi se “nga sot, 28 komunat paralele, kriminale të Serbisë në Kosovë dhe pesë qarqet e tyre mbyllen përfundimisht”.