COVID-19

Pse Kosova nuk mund të kryejë më shumë se 300 testime për COVID-19?

Kosova ka kapacitete të kryejë rreth 300 teste brenda 24 orëve për virusin COVID-19. Pesë makineri testuese të cilat janë në vend garantojnë se më shumë teste do mund të kryheshin mirëpo ekspertët dhe të dhënat tregojnë se vendi ka mungesë të stafit të trajnuar për të kryer procedurën e testimit.

Me moshën më të re të popullatës në Europë, Kosova ka interesim të madh te të rinjtë për t’u shkolluar në mjekësi mirëpo neglizhenca dhe mungesa e vendeve të punës në sektorin e shëndetësisë i ka demotivuar të rinjtë ndërsa një pjesë e madhe e tyre kanë migruar për në vendet e BE për të punuar si mjek dhe infermier.

I diplomuar në afat rekord në Fakultetin e Mjekësisë të Universitetit të Prishtinës, Dardan Sheholli, tash e dy vjet është duke pritur për të vazhduar edukimin specialistik në njërin nga drejtimet e Mjekësisë.

Edukimi si specialist është fazë tjetër e cila garanton që studentët thellohen në studime në një sektor të caktuar të mjekësisë.

Në një proces të tillë studentët punojnë dhe paguhen krahas studimeve të specializimit.

Të dhënat tregojnë se që nga viti 2017 në Kosovë nuk është pranuar asnjë kandidat i ri për specializim.

“Dëmi është në shumë aspekte si topitja intelektuale, humbja graduale e nevojës për studim si dhe mosperspektiva. Madje, shpeshherë kam menduar edhe të shkoj në Gjermani për të vazhduar rrugëtimin profesional”, thotë Sheholli.

Zvarritja e këtij konkursi bëri që pandemia e COVID-19, Kosovën ta gjejë me probleme të ndryshme të sistemit shëndetësor. Krahas mungesës së specializantëve të fushave të ndryshme mjekësore, vendi këto ditë po përballet, veçanërisht, me mungesë të mikrobiologëve, infektologëve dhe epidemiologëve. Pikërisht këto profesione, nga ekspertët mjekësorë konsiderohen jetike për menaxhimin e situatës së pandemisë. E për specializim në këto fusha, Ministria e Shëndetësisë nuk ka hapur asnjë konkurs që nga viti 2013.

Aktualisht, në Institutin Kombëtar të Shëndetit Publik të Kosovës (IKShPK), institucion i cili është kompetent për menaxhimin e situatës në kohë pandemie, janë të punësuar 22 epidemiologë, 29 mikrobiologë, dy prej të cilëve gjenden në specializim. Këta mjekë që ndodhen në vijën e parë të frontit në luftën kundër këtij virusi, deri më tani kanë testuar 10.642 mostra të dyshimta. Nga data 13 mars, kur edhe u konfirmuan rastet e para me COVID-19, janë mbi 919 raste të infektuar, 671 prej tyre janë shëruar, ndërsa 29 kanë humbur “betejën” me këtë sëmundje.

E kjo gjendje, sipas kryetarit të Odës së Mjekëve, Pleurat Sejdiu, është pasojë e mungesës së një strategjie të mirëfilltë të burimeve njerëzore për nevojat për specializime, subspecializime dhe profilizime.

“Të rikujtojmë se Udhëzimi Administrativ (UA) për edukim specialistik në fuqi është komplet në kundërshtim me Ligjin për shëndetësi dhe Ligjin për Odat e Profesionistëve shëndetësor. Pra ky UA është ligjërisht i pazbatueshëm. Kemi qenë në fazat përfundimtare të një UA të ri të bazuar në legjislacionin në fuqi, por pas dorheqjes së qeverisë së kaluar nuk ka pasur mundësi të bëhet një gjë e tillë. Ky UA edhe do hapte rrugën për konkursin e specializimeve të planifikuara për tetorin e vitit 2019”, thekson ai.

Edhe udhëheqësi i Divizionit për Komunikim me Publikun në Ministrinë e Shëndetësisë, Faik Hoti, thotë së njëra ndër arsyet pse nuk ka hapje të konkurseve është ndryshimi i shpeshtë në kabinetet ministrore.

“Ndërlidhet me shumë faktorë, duke nisur nga kufizimet buxhetore, mungesa e një plani adekuat për resurset humane në shëndetësi dhe ndryshimet e shpeshta në kabinetet ministrore, duke pasur secili kabinet politikë tjetër nga ai paraprak”, deklaron Hoti.

Sipas shefit të Mikrobiologjisë së IKShPK-së, Xhevat Jakupit, për shkak të numrit të limituar të mikrobiologëve stafi mjekësor gjatë periudhës së virusit COVID-19 ka punuar pa asnjë ditë pushim.

“Për shkak të numrit të limituar të personelit, zakonisht një laborator funksionon me nga një specialist të Mikrobiologjisë dhe një teknik laborant. Kjo paraqet problem madhor pasi që në rast të mungesës së ndonjërit nga personeli në punë është tejet vështirë që të gjenden aranzhime për të mbuluar me personel tjetër”, shprehet Jakupi.

Për nevojën e profesionistëve mjekësorë në këtë kohë pajtohet edhe kryetari i Odës së Mjekëve të Kosovës, Pleurat Sejdiu.

“Ka nevojë për një numër më të madh të specialistëve, sidomos lëmive paraklinike dhe të shëndetit publik. Ne mendojmë që së paku edhe 300 specialistë të këtyre lëmive do i duheshin Kosovës në këtë periudhë, duke futur këtu edhe specialistë të sëmundjeve infektive”, thekson Sejdiu.

Njëra ndër pasojat e vonesës së hapjes së konkursit për specializantë, sipas Sejdiut, është edhe ikja e mantelbardhëve nga Kosova.

“Kjo gjendje nuk besoj se dëshiron koment më të madh se sa nevojat e mëdha që kemi gjatë kësaj kohe si dhe mbi 600 mjekë të përgjithshëm të papunë dhe pa specializimi si dhe tendenca e madhe e tyre për t’u larguar nga Kosova”, thekson ai.

Sistemi shëndetësor i Kosovës, sipas profesionistëve mjekësorë, duhet që të përmbushet me mjekë të rinj, jo vetëm të fushave të lartpërmendura por edhe të mjekësisë ligjore, histo-patologjisë dhe citologjisë. Sipas tyre, në rast se Ministria e Shëndetësisë nuk harton strategji për stimulimin e specializantëve, klinikat rrezikojnë të mbyllen si për shkak të mungesës së stafit mjekësor.

Përveç mbylljes së klinikave, zvarritja e konkurseve nga Ministria e Shëndetësisë rrezikon që Sheholli e kolegët e tij ta braktisin vendin.