
Pse ka dallim mes dënimeve për krime lufte nga gjykatat në Kosovë dhe nga Gjykata Speciale?
Politikat ndëshkimore për krime lufte nga gjykatat e Kosovës dhe Gjykata Speciale kanë dallim të madh.
Drita Hajdari, udhëheqëse e Departamentit për krime të luftës në Prokurorinë Speciale, ka thënë se gjykatësit në Kosovë janë të kufizuar me ligjin që ka qenë në fuqi gjatë kohës së kryerjes së veprës, i cili është Kodi Penal i Jugosllavisë.
Sipas saj, Dhomat e Specializuara e kanë ligjin e vet.
“Gjykatësit janë të kufizuar me ligjin i cili ka qenë në fuqi me kryerjen e veprës penale, ai është kodi penal i Jugosllavisë. Dhomat e Specializuara e kanë ligjin e vet, edhe dënimet e përcaktuara . Në Kosovë jemi të obliguar të aplikojmë ligjin më të favorshëm për të pandehurin. Kjo nënkupton që për masakra dënimi maksimal mund të jetë 20 vite burg’- tha ajo.
Hajdari potencoi se kjo periudhë maksimale ka qenë alternativë për dënimin me vdekje.
“Derisa, gjykata e apelit ka marr qëndrim që dënimi maskimal mund të jetë 15 vjet, sipas tyre, me heqjen e dënimit me vdekje është larguar edhe alternativa për dënim deri 20 vjet- tha Hajdari.
“Unë personalisht jam duke zhvilluar një betejë juridike për t’i bindur gjykatësit që dënimi maksimal mund të jetë 20 vite”- shtoi ajo.
Derisa, Amer Alija, mbikqyrës në projektin për krime të luftës në fondin për të drejtën humanitare tha se dënimi i Salih Mustafës me 26 vite burg është më i lartë në krahasim me praktikën ndëshkimore në Kosovë dhe atë të tribunalit të Hagës.
“Në të kaluarën një i pandehur serb është dënuar me 20 vite burg nga UNMIK-u, tani e kemi pasur një vendim në shkallën e parë me 20 vite kundër Goran Stanishiq dhe apeli e ka zbritur në 15 vite. Ne e kemi pas një dënim të Salih Mustafës me 26 vite që është më i lartë në krahasim me praktikën ndëshkimore dhe tribunalin e Hagës”- deklaroi ai.